Simpatizantë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Viti me duartrokitje kanë pritur kandidatin për kryeministër nga radhët e LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hotin.
Hoti, ka thënë se rinia, punësimi i tyre dhe hapja e perspektivës për ta është prioriteti kryesor i Qeverisë së ardhshme që do ta krijojmë pas 11 qershorit.
“Kemi përgatitur një program qeverisës bashkë me partnerët tanë, prej njerëzve më të mirë që i kemi brenda në listë dhe që i ka Kosova. Ky është ekipi që do të qeverisë Kosovën në të ardhmen me duar të pastra. Programi ynë ka prioritet rininë, punësimin e tyre dhe hapjen e perspektivave të reja. Ne do t’i përkrahim pa asnjë dallim të gjithë të rinjtë dhe të rejat. Do të hapim rrugën për të rinjtë dhe të rejat që të kenë qasje në institucionet arsimore në gjithë botën për të na sjellë më pas përvojat më të mira të zhvillimit në vendin tonë”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se ka marrë bekimin e gjithë strukturave të LDK-së, themeluesve dhe protagonistëve kryesor të partisë, për të ndërtuar një program dhe ekip që do ta zhvillojë Kosovën, do ta zhdukë korrupsionin, dhe do ta dërgojë vendin tonë atje ku e ka vendin, në familjen evropiane.
Hoti ka thënë se lista e koalicionit nga numri 1 deri në 110, është secili më profesional dhe më i pastër se tjetri.
“Lista e LDK-së dhe partnerëve përfaqëson kulturën demokratike të kujdesit ndaj institucioneve, traditën tonë të pasur politike, por edhe perspektivën, rininë tonë e cila është e vendosur më mirë se kurrë në listën tonë zgjedhore”, ka thënë Hoti.
Hoti shtoi se gjatë dy vite e gjysmë në qeveri kam biseduar me qytetarët anekënd Kosovës, me të rinj dhe të moshuar dhe të gjithë njëzëri janë pajtuar se papunësia është problemi ynë kryesor.
“Ne kemi ndërtuar një program të qeverisjes së mirë, kemi krijuar 41 mijë vende të reja të punës në dy vitet e shkuara dhe do të krijojmë edhe aq në dy vitet e para të mandatit qeverisës. Ne po i përmbyllim dy vite të qeverisjes me rezultate të mëdha. Kemi qeveris duke mos pasur asnjëherë probleme me ligjin”, ka thënë Hoti.
Nikoqiri i takimit, Sokol Haliti, kryetar i Vitisë, ka thënë se lista e LDK-së me kandidatë për deputetë është lista më e mirë që ka pas ndonjëherë një parti politike pas lufte, është lista më e pastër, më profesionale e cila garanton prosperitet dhe progres, integrime euroatlantike, zhvillim ekonomik dhe perspektivë për rininë.
“Ne jemi të vendosur Viti, sikur edhe në gjithë Kosovën që më 11 qershor të shënojmë fitoren më bindëse që është shënuar ndonjëherë”, ka thënë kryetari i Vitisë.