Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se kanë ftuar seancën e jashtëzakonshme sepse Kuvendi pothuajse është paralizuar.
Hoti pas mbledhjes së Kryesisë, ku u vendos që nesër në ora 14 të mbahet seanca e thirrur nga opozita për të votuar tri marrëveshje ndërkombëtare, shtoi se vendi duhet patjetër që të shkojë në zgjedhje, raporton Ekonomia Online.
“Me kërkesë të opozitës, 53 nënshkrime të deputetëve kemi kërkua seancë të jashtëzakonshme për ratifikimin e tri marrëveshjeve ndërkombëtare që janë shumë të rëndësishme për qytetarët e Kosovës”.
“Këtë seancë e kemi ftuar pasi Kuvendi i Kosovës pothuajse është paralizuar, me insistimin e kryetarit të Kuvendit duke mos ftuar seanca të mëparshme të jashtëzakonshme të kërkuara nga opozita”.
I pyetur pse nuk po e përkrahin VV-në për protestën e thirrur për 29 shtator me qëllim kundërshtimin e presidentit Hashim Thaçi, si kryesues i delegacionit për bisedime me Serbinë, Hoti ka thënë se nëse është nevoja do të organizojnë edhe ata protesta.
Kur është pyetur se a po mendon LDK të ngrise mocion kundër Thaçit, Hoti ka thënë se po punojnë për mocion ndaj Qeverisë, raporton EO.
“Ne jemi partia me e madhe në vend dhe Kuvend. Më vjen mirë që po koordinoheni me opozitën. Kemi fuqi që brenda institucioneve të ndalin proceset e këqija. Nëse është nevoja do të marrim përsipër edhe protestat. Jemi duke punuar në mocionin për qeverinë”.