Hoti takohet me kryetarin e Bashkisë së Durrësit

Prishtinë | 25 Pri 2019 | 14:08 | Nga Ekonomia Online

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti sot është takuar me kryetarin e bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, me të cilin kanë biseduar për Programin Nacional dhe Ndërshtetëror për Rininë.

Hoti, gjatë këtij takimi shpalosi Programin Nacional për Rininë duke potencuar që nxënësit përmes garave do të përfitojnë si pjesë të shpërblimeve edhe vizitat, ekspeditat dhe ekskursionet në vendet historike.

“Duke e ditur se Durrësi si qytet përfaqëson vlerat historike dhe turistike për mijëvjeçarin e qytetërimit tonë, nxënësit tanë do ta vizitojnë dhe do të njihen drejtpërdrejt me vlerat, kulturën që përfaqëson ky qytet. Nëpërmjet këtyre vizitave do të zgjerojmë bashkëpunimin ndërmjet brezit të ri, pasi që sigurisht ata, do të njihen dhe do të shoqërohen gjatë këtyre vizitave nga përfaqësuesit e institucioneve publike e kulturore të Durrësit”, tha Hoti.

Në anën tjetër, kryetari i Bashkisë Dako shprehu interesimin dhe gatishmërinë për programin, duke thënë se kjo pos që do të jetë në të mirën e nxënësve, do të jetë edhe urë lidhëse mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“Unë zotohem se gjatë çdo vizite të bërë nga nxënësit jo vetëm në Durrës, por në të gjitha vendet si ato historike, kulturore, arkeologjike do të jem shoqërues i tyre. Ne do të angazhohemi në mënyrë të fuqishme që t’i mbështesim nxënësit nga Kosova që jo vetëm ta shijojnë këtë qytet të lashtë historik, por edhe të kenë mundësinë t’i zgjerojnë njohuritë e tyre mbi të kaluarën dhe mbi antikitetin e Durrësit”, tha kryetari i Bashkisë, Vangjush Dako.

Në kuadër të bashkëpunimit, Hoti dhe Dako, u dakorduan që në një të ardhme të afërt të nënshkruajnë marrëveshje konkrete, që do të rrisë bashkëpunimin mes dyja vendeve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme