Hoti takohet me Mustafën: Programi nacional për rini iu jep mundësi të gjithëve

Prishtinë | 25 Shk 2019 | 15:12 | Nga Ekonomia Online

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, gjatë vizitës zyrtare në Luginë të Preshevës takoi Kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa. Hoti gjatë këtij takimi ishte i shoqëruar nga i ngarkuari me punë në Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Xhelal Shaqiri.

Në këtë takim u bisedua për Programin Nacional për Rininë dhe për gjendjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Koordinatori Hoti shpalosi Programin Nacional për Rininë, për të cilin tha se është program konkret që do të ndikojë në përmirësimin e cilësisë së arsimit.

“Programi Nacional për Rininë është hartuar mbi dy parime themelore: gjithëpërfshirjen dhe vijueshmërinë. Ka fokusin në tri gara: kreativitet kulturor dhe mendim kritik, dituri dhe sport. Çdo vend i parë në çdo kategori do të shpërblehet. Garat do të organizohen në nivel shkolle, komune dhe republike. Përmes këtij programi u ofrohet nxënësve të Luginës që në nivel republike të garojnë me nxënësit e Republikës së Kosovës”, tha Hoti.

E kryetari Mustafa, përveç që mirëpriti këtë program, falënderoi Koordinatorin Hoti që ka marrë hapa konkret për bashkëpunimin e shqiptarëve edhe jashtë shtetit të Kosovës.

“Ky program është i shkëlqyer. Me realizimin e tij nxënësit e Luginës do të ndihen si pjesë e Kosovës, rrjedhimisht unë e shoh këtë si pikënisje të bashkimit tonë më Kosovën. Ky program konkret do të integrojë të rinjët shqiptarë në Kosovë”, tha Mustafa.

Programi Nacional për Rininë është hartuar për të gjithë nxënësit e të gjitha komuniteteve pa dallim. Ndërkaq, Programi Ndërshtetëror për Rininë parasheh garat në nivel rajonal me shtetet tjera të rajonit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme