Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, ka vizituar spitalin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Hoti ka parë nga afër kapacitetet e këtij spitali ushtarak në rast se do të ketë nevojë të përdoret.
“Bashkë me ministrin e Shëndetësisë inspektuam spitalin ushtarak për të parë kapacitetet që FSK-ja do i vë në dispozicion të Qendrës Spitalore në rast se do të kemi nevojë që t’i përdorim edhe këto kapacitete”.
Hoti deklaroi se edhe pse nuk është njeri ushtarak është i impresionuar me disiplinën dhe përgatitjet e ministrisë së Mbrojtjes dhe pjesëtarëve të FSK-së teksa bëri të ditur se do t’iu ofrojnë ndihmë në ngritjen e kapaciteteve.
“Unë nuk jam shumë njeri ushtarak por vërtetë jam i impresionuar kur hyjë brenda dhe i emocionuar me disiplinën ushtarake dhe me përgatitjet e ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së që na bëjnë krenarë”.
“Duhet t’i qëndrojmë afër ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së për të ngritur edhe më tutje kapacitetet, do të punojmë bashkë me stafin shëndetësor të FSK-së që të integrohen me ministrinë e Shëndetësisë dhe me Shërbimin Spitalor të Kosovës për të përballuar situatën nëpër të cilën po kalojmë”.
“Situata duket se po përkeqësohet dhe ne duhet të përgatitemi për të gjitha variantet që mund të kemi përpara në javët dhe muajt në vazhdim”, deklaroi Hoti.
Hoti mes tjerash ka folur edhe për përçarjet brenda koalicionit rreth masave, raporton EO.
“Në Qeveri jemi duke shqyrtuar një masë të re të listave të propozuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike jemi në proces nga kjo ngjarje do të kemi një konsultim me kabinetin qeveritar, unë e kam thënë gjithmonë bashkë me ministrin se ne do i respektojmë plotësisht rekomandimet që nga vijnë nga profesionistët shëndetësor në përputhje me situatën në të cilën gjendemi”.
“Do të bëjmë diskutime me të gjithë partnerët e koalicionit por edhe me akter të tjerë dhe Shoqatën e Gastronomëve dhe po mundohemi që të harmonizojmë të gjitha qëndrimet”, deklaroi Hoti
Kryeministri pa për së afërmi edhe automjetet ushtarake të dhuruara nga SHBA-ja.
Komandanti i FSK-së, gjeneral Rrahman Rama, e njoftoi kryeministrin për kapacitetet ushtarake që i posedon FSK-ja.
“Kjo është një vazhdimësi e procesit të ngritjes së kapaciteteve bazuar në mandat të ri. Këtu janë disa, kemi edhe disa tjera që janë dhuruar vitin e kaluar nga SHBA-ja, 27 Hamvi, 24 i kemi blerë me buxhet të Kosovës dhe jemi në vazhdimësi të ngritjes së kapaciteteve”, tha Rama.
Hoti tha se do të vazhdojë përkrahja e Qeverisë për FSK-në.
“Gjeneral ju përgëzoj. Më vjen mirë që së bashku me partnerë tanë strategjik është bërë kjo punë dhe normalisht edhe me buxhet të Kosovës dhe ne do të vazhdojmë t’ju qëndrojmë afër edhe në vitet e ardhshme për t’i plotësuar nevojat e FSK dhe për ta zbatuar planin afatgjatë të ngritjes së kapaciteteve të FSK-së”, tha Hoti.