Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i drejtohet presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministres Ana Bërnabiq, duke i thënë nëse ndonjë shteti duhet t’i ndalohet të ketë ushtri, atëherë kjo vlen për Serbinë , njofton Klan Kosova.
“Ushtria e juaj, Z.Vuçiq dhe Znj. Bërnabiq, është e komprometuar, ngase ka ende duart e përgjakura. Është ushtria e juaj ajo për të cilën dihet botërisht se ka shkaktuar spastrim etnik dhe gjenocid, ka dhunuar e vrarë gra e foshnje, në Kosovë, Bosnje e gjetiu”, tha Hoti, në rrjetin social Facebook.
Hoti shprehet se ushtria e Kosovës do të jetë ushtri që garanton dhe gjeneron paqe, që aspiron NATO-n e misionet paqeruajtëse gjithandej në botë.
“ Do të ndërtohet dhe kalitet që të ndihmojë popuj të tjerë gjithandej globit, të cilët mund të përfshihen në tragjedi të ngjashme, me ato që pësuam ne, nga falangat gjenocidale të ushtrisë serbe”, tha Hoti.
Më tej ai kërkoi nga ata që t’i kërkojnë falje popullit të Kosovës e të Bosnjës, për tragjeditë e shkaktuara.