Hovenier komenton dorëheqjen e Gowing, kërkon më shumë siguri për gazetarët

Prishtinë | 16 Gus 2023 | 15:08 | Nga Hanmie Lohaj

Ambasadori i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier në një takim me një grup gazetarësh të medieve të Kosovës, ka komentuar dorëheqjen e Elizabeth Gowing, këshilltare e kryeministrit Kurti, nga Zyra për Çështje të Komuniteteve e ZKM-së.

Ambasadori Hovenier, i pyetur nga Ekonomia Online, për këtë çështje, u shpreh se grantet edhe pse ishin planifikuar që të shkonin për komunitetet minoritare në Kosovë, përfunduan te organizatat që përfaqësojnë komunitetin shumicë, me ç’rast e sheh shqetësimin e Gowing si të arsyeshëm.

“Nuk mund të flas për akuzat për korrupsion, dhe nuk dua të flas për Elizabeth Gowing, por nuk besoj se kjo ka qenë çështja. Besoj se çështja ka qenë një proces nëpërmjet të cilit grante janë ofruar nga kjo zyre e çështjeve të komuniteteve dhe qëllimi i këtyre granteve, siç e kam kuptuar unë ka qenë që të ndihmojë t’i mbështesë këto grupe minoritare dhe shqetësimet e tyre dhe prapë në një mënyrë procesi i granteve rezultoi që shumica e granteve të shkojnë në organizata që përfaqësojnë shumicën etnike në Kosovë”.

“Kjo është çka e shqetësoi atë. Siç e kam kuptuar unë, dhe është një shqetësim i arsyeshëm. Dhe kjo zyre e çështjeve me komunitete është zyre me rëndësi shumë të madhe. Siç e kam kuptuar unë janë bërë më shumë se dy vite që prej kur ajo ka qenë në krye të asaj zyre, shpresojmë që kjo zyre tejet e rëndësishme do të adresojë këto çështje për të cilat fola”.

Hovenier, tha se Qeveria e Kosovës duhet të marrë hapa kur gazetarët kërcënohen gjersa janë duke e bërë punën e tyre.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, duke iu përgjigjur Ekonomia Online, tha se gazetaria është pushteti i katërt dhe si i tillë ka rol fundamental në informimin e publikut për të vënë në pah abuzime potenciale, gjë që sipas tij, shërben në mirëmbajtjen e një demokracie të mirëfilltë.

“Mendoj që është e udhës që Qeveria e Kosovë duhet të marrë e bëjë hapa kur gazetarët në Kosovë kërcënohen përderisa janë në krye të detyrës. Kjo është përgjegjësia e autoriteteve në Kosovë. Shumë mund të pajtohen se ne e kemi bërë më të mirën sa i përket lirisë së gazetarëve për të operuar pa pengesa e kërcënime dhe sigurisht pa u sulmuar, dhe kjo është dispozitë fundamentale e politikbërjes. Ne e marrim shumë seriozisht këtë çështje. Në një intervistë të mëparshme flas në një kontekst tjetër se si një nga baballarët themelues, Thomas Jefferson, ka thënë se gazetaria është pushteti i katërt, sepse roli që gazetarët luajnë në informimin e publikut për të sjell në dritë probleme a abuzime potenciale është në mënyrë kritike e rëndësishme për një demokraci të shëndetshme”, u shpreh Hovenier.

Ai shtoi se presin që autoritetet e institucioneve të Kosovës të mbajnë përgjegjës individët që në çdo lloj forme veprojnë kundër gazetarëve.

“Sigurisht që ne e dënojmë çdo kërcënim ndaj gazetarëve, njëjtë siç e dënojmë çdo tentativë për të armiqësuar ose për të kërcënuar a penguar punën e tyre, dhe kjo mbetet qëndrimi ynë. Por presim që autoritetet e institucioneve të Kosovës të mbajnë përgjegjës njerëzit që fizikisht ose nëpërmjet rrjeteve sociale a mënyrave të tjera tentojnë të kërcënojnë apo diskurajojnë a veprojnë kundër gazetarëve”, tha Hovenier.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme