Hovenier: Kushtetuta e Kosovë garanton liritë fetare për të gjithë kosovarët

Prishtinë | 18 Pri 2023 | 18:39 | Nga Ekonomia Online

Për t’i shënuar Pashkët Ortodokse, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka takuar kryepeshkopin Teodosije.

Hovenier tha se me klerikun ortodoks foli për çështje me rëndësi si ajo e lirisë fetare. Ambasadori amerikan theksoi se Kushtetuta garanton lirinë fetare për të gjithë qytetarët e Kosovës, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Kushtetuta e Kosovës garanton të drejtat fetare për të gjithë kosovarët, të cilët duhet të jenë të lirë të adhurojnë pa pengesa apo diskriminim”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Ai po ashtu ka dënuar një sulm që ka ndodhur në Prizren, ku disa persona të panjohur kanë tentuar t’ia vënë flakën derës së Kishës Ortodokse “Shën Pantelija” gjatë festave të Pashkëve Ortodokse.

“Iu bëj thirrje autoriteteve ta hetojnë plotësisht krimin dhe të nxjerrin autorët para drejtësisë”, ka thënë Hovenier.

Të ngjashme