Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në konferencën e fundvitit për gazetarë, ka numëruar të arriturat dhe sfidat e kësaj ministrie gjatë vitit 2016.
Hoxha paralajmëroi se viti 2017 “do të jetë vit i zhvillimit të sundimit të ligjit”.
Ajo tha se fuqizimi i sundimit të ligjit është prioritet i saj. Për të pasur rezultate konkrete në fushën e drejtësisë, sundimit të ligjit, luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, duhet të kemi një bashkëpunim të të gjithë aktorëve relevant, ndërinstitucional, me qëllim që rendi dhe sundimi i ligjit të zbatohen plotësisht në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
“Vështirësitë që i kemi pasur në gjetjen e bilancit në mes dinamikës së punës së zhvillimit të vendit tonë që sektori i sundimit të ligjit të fuqizohet me infrastrukturën ligjore pra për t’i balancuar këto nevoja që janë aq të mëdha. Kam theksuar disa herë që piritet i yni është sundimi i ligjit dhe si i tillë do të mbetet edhe në vitin që po vjen. Të gjithë ne së bashku duhet të japim maksimumin tonë që të sjellim rezultate konkrete në fushën e drejtësisë, sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar me qëllim që e të sundoj ligji në gjithë territorin e Kosovës”, ka thënë Hoxha.
Hoxha gjithashtu tha se prej se e ka marrë detyrën e ministres, para pesë muajsh, janë hartuar 11 projektligje, prej të cilave 8 janë miratuar. Po ashtu, janë miratuar 3 strategji dhe 7 akte nënligjore.