E sponsorizuar nga Ministra e Integrimit Evropian, në mbledhjen e Qeverisë, është miratuar kërkesa që i drejtohet Presidentit të Kosovës, për të dhënë autorizimin për nënshkrim të marrëveshjes bilaterale në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Luksemburgut, në kuadër të Projektit të Bashkëpunimit zhvillimor, Asistenca teknike në kontekstin e Integrimit Evropian.
“Marrëveshja ka të bëjë me projektin e përbashkët zhvillimor në mbështetje të përpjekjeve të Kosovës për përmbushjen e kërkesave të MSA-së të arritur me BE-në që do të zbatohet gjatë 4 viteve”.
“Projekti do të zbatohet në përputhje me dokumentin teknik dhe financiar të projektit-Asistenca Teknike në kontekstin e Integrimeve Evropiane”, theksoi ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha duke shtuar se është përgatitur nga agjencitë ekzekutive të cilën të dyja palët e kanë nënshkruar.
Kjo ujdi, theksoi Hoxha, është e rëndësishme për Qeverinë dhe Ministrinë e Integrimit Evropian në veçanti, për fuqizimin e administratës publike.
Kontributi i Qeverisë së Luksemburgut në financimin e projektit në bazë të granteve do të jetë në shumën prej 2 milion euro, ndërsa kontributi financiar i Kosovës do të jetë në vlerën prej 100 mijë euro.