Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti në takim ambasadorin e Republikës së Austrisë në Republikën e Kosovës, Gernot Pfandler, me të cilin diskutoi për proceset integruese, në veçanti për çështjen e liberalizimit të vizave.
Presidenca austriake e Këshillit të Bashkimit Evropian, në gjysmën e dytë të vitit 2018, rezultoi me angazhim të jashtëzakonshëm që Kosova të fitoj liberalizimin, theksoi Hoxha, por, për fat të keq, rekomandimet dhe ftesat e Austrisë, për liberalizim, nuk u përfillën nga vendet anëtare të Këshillit të Ministrave.
“Ne jemi mirënjohës me impenjimin e plotë të Austrisë gjatë presidencës së saj në krye të Këshillit të BE-së, vizitave zë zyrtarëve të lartë të Austrisë dhe agjendave të sensibilizimit me çështjen për vendet anëtare të BE-së si dhe kërkesave të vazhdueshme për ta votuar liberalizimin për Kosovën. Konsideroj se ky angazhim, ishte tejet i mirëpritur dhe jemi mirënjohës për këtë”, ceku Hoxha në takim, duke vënë në pah se Austria ka qenë, është dhe mbetet aleat besnik i Kosovës.
Ndërsa ambasadori Pfandler, ritheksoi dhe vlerësoi angazhimin e Ministres si dhe institucioneve të vendit për plotësimin e të gjitha kritereve, duke ritheksuar se Austria e ka mbështet dhe vazhdon ta mbështet liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës. Ai po ashtu, vlerësoi angazhimin për zbatimin e Reformave nga Agjenda Evropiane si dhe MSA-ja.
Hoxha dhe Ambasadori Pfandler, ritheksuan gatishmërinë e çuarjes përpara të agjendës integruese të Kosovës, mbështetjen në të gjitha instancat e BE-së për Kosovën nga Austria si dhe anëtarësimin e Kosovës në institucionet regjionale dhe globale.