Fuqizimi i sundimit të ligjit është opsioni i vetëm që ne e kemi. Kështu tha ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha pas vizitën që i bëri Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, me ç’rast u prit nga rektori i këtij universiteti Ramë Vataj dhe më pas mbajti edhe një takim me studentë të Fakultetit Juridik.
“Dua të bart mesazhin se sundimi i ligjit nuk është opsion do të thotë nuk është që a të zgjedhim a të ketë sundim të ligjit apo të mos ketë. Do të thotë është opsioni i vetëm që ne e kemi fuqizimin e sundimit të ligjit dhe isha pozitivisht e befasuar me kalibrin e studentëve, me njohuritë që ata kishin”, ka theksuar Hoxha.
Ajo i përgëzoi profesorët e këtij universiteti pasi që sipas saj kanë bërë punë të mirë në edukimin e brezave dhe gjeneratave të reja.
“Këtu e përgëzoj Universitetin e Prizrenit, profesorët sepse me të vërtetë kishin bërë një punë të mrekullueshme në edukimin e brezave dhe gjeneratave të reja dhe kam shumë shpresa se të gjithë ata studentë që i takova do të jenë gjenerata e gjyqtarëve guximtarë, prokurorëve guximtarë që me të vërtetë ta luftojnë krimin, korrupsionin dhe të gjitha dukuritë tjera negative”, ka pohuar ministrja Hoxha.
Kurse rektori i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Ramë Vataj ka theksuar se ka qenë dëshira e ministres që ta vizitojë institucionin e dijes dhe të diskutojë me studentë për çështje që i preokupojnë të gjithë qytetarët e sidomos studentët që janë pjesa më elitare e shoqërisë.
“Pyetjet e studentëve kanë qenë sundimi i ligjit gjë e cila neve na mundon të gjithëve dhe besoj se ministrja e ka parë edhe nivelin e studentëve tonë që janë nivel i krahasueshëm edhe me vendet e regjionit dhe besoj se studentët kanë marrë disa prej praktikave ku njëra prej pyetjeve ishte edhe inkurajimi dhe përvoja e vajzave tona që të arrijnë më lart”, ka thënë ai.