Hoxha: Gjykata Themelore në veri do të funksionalizohet shumë shpejt

Mitrovicë | 11 Pri 2017 | 11:51 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, ka vizituar Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, ku është pritur nga rektori Alush Musa.

Hoxha po me këtë rast mbajti edhe një ligjëratë para studentëve të Fakultetit Juridik, ku tha se të rinjtë e Kosovës do të jenë gjykatësit dhe prokurorët e denjë që do ta luftojmë krimin dhe do të jenë gardianët e të drejtave të njeriut, raporton Ekonomia Online.

E pyetur nga studentët se kur do të funksionalizohet Gjykata Themelore në Mitrovicën veriore, ajo tha se Ministria e Drejtësisë nuk ka shumë kompetenca në gjyqësor përveç hartimeve të ligjit.

Mirëpo bëri të ditur se janë ndërmarrë të gjitha hapat, por ka mbetur vetëm çështja e betimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, dhe shpreson se kjo gjykatë do të funksionalizohet shumë shpejt, ngase ana kosovare i ka bërë të gjitha hapat e nevojshëm.

Ajo ka thënë gjithashtu se Ministria e Drejtësisë ka për qëllim sundimin e ligjit dhe një shtet të barabartë për te gjithë.

“Askush nuk është mbi ligjin dhe mos lejoni që të tjerët po as ju të keqpërdorin ligjin. Pa fuqizim të sundimit të ligjit nuk mund të funksionalizojmë shtetin tonë”, ka thënë Hoxha.

“Këtu kam ardhur të bartë një mesazh. Kohë më parë kemi bërë Ligjin për Trashëgimi, i cili ligji garanton pasurinë e barabartë për të gjithë. Nëse 50% e popullatës janë femra dhe nëse ky 50% nuk zhvillohet atëherë gjithmonë vetëm 50% i zhvillohet dhe jo pjesa tjetër”, tha ajo.

E pyetur nga studentët se cilat fenomene duhet të luftohen që Kosova të jetë një shtet ligjor, Hoxha ka thënë se luftimi i korrupsionit dhe lufta kundër krimit të organizuar nuk janë të mjaftueshme që të bëhet një shtet ligjor.

Ajo ka përmendur që puna me përgjegjësi është ajo që Kosovës i duhet më së shumti, sepse lëndët gjyqësore dhe rastet të cilat zgjasim me vite sipas saj nuk sjell drejtësi.

Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, andaj ajo ka thënë se në Kosovë proceset gjyqësore janë shumë të vonuara.

Në anën tjetër, Rektori Musaj ka falënderuar Ministren Hoxha për vizitën dhe ligjëratën e mbajtur me studentët, të cilët janë pasqyrë e arsimit superior, me përkushtim dhe motivim për të qenë pjesë e sistemit të drejtësisë dhe të arsimit juridik, i cili bazohet në vlera evropiane.

Në fund të takimit, Ministrja Hoxha falënderoi Rektorin Musaj dhe studentët e këtij fakulteti duke shprehur gatishmërinë dhe përkrahjen për studentët, të cilët do të kenë për qëllim avancimin e mëtejmë të këtij Institucioni. 

 

Të ngjashme