Procesi integrues është prioritet konsensual i Kosovës, i partive politike dhe institucioneve qendrore e lokale, pa dallim.
Kështu ka thënë ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, gjatë një takimi me ambasadorin e Kanadasë në Kroaci, ambasador jorezident për Republikën e Kosovës, Daniel Maksymiuk, me të cilin diskutoi për procesin integrues dhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për këtë synim.
“Ne kemi dëshmuar se jemi gati për procesin e liberalizimit të vizave, kemi plotësuar të gjitha kriteret si dhe jemi gati të zbatojmë obligimet tjera që dalin nga marrëveshjet ndërkombëtare”, theksoi ministrja Hoxha, duke shtuar se reformat e ndërmarra dhe intensifikimi i angazhimit institucional për procesin integrues janë gjithëpërfshirëse.
Sipas Hoxhës, zbatimi i MSA-së, është detyrë me prioritet e Qeverisë, theksoi ministrja Hoxha, duke theksuar se kjo marrëveshje është kontrata e parë në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ministrja po ashtu, çmoi lart përkrahjen e Kanadasë dhe miqësinë e saj, për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, duke e quajtur, miqësi shembullore.
Nga ana e tij Maksymiuk theksoi se përkrah përkushtimin e Kosovës për rrugën integruese, duke ofruar përkrahjen e vendit të tij në këtë proces. Kanadaja ka qëndruar dhe qëndron krah Kosovës, theksoi ai, si një vend mik që kontribuon edhe në integrimet në institucionet ndërkombëtare, thuhet në një komunikatë të MIE-s.