Premtime të shumta nga udhëheqësit e Kosovës janë bërë vitet e fundit në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.
Dy vjetët e fundit pretendohej se liberalizimi i vizave është çështje javësh e madje edhe orësh.
Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike në një prononcim për Ekonomia Online thotë se Kosova ka përmbushur kërkesat për liberalizim të vizave mirëpo nga një proces teknik është shndërruar në një proces politik ku dhe kërkohen kushte të reja.
“Duke marrë parasysh që procesi liberalizimit të vizave është proces teknik atëherë mund të themi që Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet që kërkohen për fitimin e liberalizimit të vizave mirëpo kohëve të fundit është vërejture që ky proces është shndërruar në proces politik dhe kjo është dëshmuar me kushtet shtesë që ju kanë dhënë Kosovës viteve të fundit e po dëshmohet edhe tani pra janë duke u kërkuar kushte më shumë se vetëm ato që janë kërkuar”.
Sipas saj kosovarëve ju është bërë dhe padrejtësi mirëpo fajtorë mbeten edhe ministrat e jashtëm të shteteve anëtare.
“Vetë fakti që ky proces është shndërruar në një proces politik nga një proces teknik mund të themi që ka aty padrejtësi, mirëpo vlen të përmend që përgjegjësia për mosliberalizim rëndon edhe tek ministrat e brendshëm të shteteve anëtare që refuzojnë të marrin një vendim të tillë për Kosovën dhe rrjedhimisht tregojnë që nuk e kanë as prioritet çështjen e liberalizimit të vizave”.
Hoxha thotë që thirrjeve të BE-së ju kemi përgjigjur mjaftueshëm mirëpo lufta ndaj korrupsionit duhet të jetë luftë e vazhdueshme nga institucionet e Republikës së Kosovës.
“Lufta kundër korrupsionit është luftë e cila nuk mbaron lehtë dhe duhet të jetë luftë e vazhdueshme e institucioneve të Republikës së Kosovës. Nëse kemi pasur përmirësime në këtë raport janë raportet ndërkombëtare dhe vendore që e vlerësojnë mirëpo përfundimisht një luftë e tillë nuk përfundon dhe ajo duhej të ishte e vazhdueshme. Stagnimi i luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar mbahen si probleme në proceset integruese”.
Sipas saj, fajtore mbeten edhe institucionet e Republikës së Kosovës të cilat nuk po arrijnë ta luftojnë bindshëm krimin e organizuar.
“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar do duhej të ishte qëllim i vazhdueshëm i Republikës së Kosovës gjë që e cila do të afektonte mirëqenien e qytetarëve mirëpo do ta ndihmonte dhe pozitën e Kosovës në proceset integruese sidomos në ato evropiane. Mirëpo lirisht mund të themi që një pjesë e përgjegjësi për mos liberalizimin e vizave për Kosovën ju bie institucioneve shtetërore të Kosovës meqenëse të njëjtat nuk kanë arritur ta luftojnë bindshëm krimin dhe korrupsionin gjatë viteve të fundit dhe gjë që e ka vonuar këtë proces”, tha ajo për EO.