Ministria e Integrimit Evropian (MIE) ka organizuar takimin e “Forumit të Nivelit të Lartë”, raporton Ekonomia Online.
Ministrja e Integrimit, Dhurata Hoxha, ka falënderuar donatorët për ndihmën e vazhdueshme, kontributin në shtet ndërtimin dhe shtet konsolidimin e Kosovës.
Ajo ka treguar se janë duke punuar në ngritjen e sistemit të monitorimit dhe raportimit duke u bazuar në rezultatet e arritura nga projektet e donatorëve, mundësuar nga BE-ja.
“Synimi i qeverisë së Kosovës është që gjatë këtij vitit të përmirësojmë ndjeshëm planifikimin e brendshëm dhe gjithashtu të përmirësojmë gjendjen e zbatimit të projekteve. Në këtë drejtim duhet bërë hapa drejt procesit të koordinimit të donacioneve. Po punojmë në ngritjen e sistemit të monitorimit dhe raportimit duke u bazuar në rezultatet e arritura nga projektet e donatorëve i mundësuar nga BE-ja”, ka thënë Hoxha.
Ajo ka përmendur edhe progresin e arritur që nga shpallja e Kosovës shtet.
“Edhepse nuk kemi më shumë se 11 vjet që jemi bërë shtet kemi arritur që të bëhemi vend krahasues me shtetet e rajonit. Kemi arritur të nënshkruajmë marrëveshjen e MSA-së. Kemi sfida dhe vështirësi para nesh ashtu siç ka çdo shtet tjetër. Kemi punuar në sistemin e koordinimit të donatorëve të jashtëm, kemi synuar që ky donacion të shndërrohet në pjesë përbërëse të politikave buxhetore. Gjatë këtij viti synojmë të zbatojmë gjendjen e projekteve të brendshme”, tha Hoxha.