Ministrja Hoxha, në takim me ambasadorin e Republikës së Austrisë në Republikën e Kosovës, Pfandler, ka theksuar se strategjia integruese e BE-së për Ballkanin Perëndimor, duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe nuk duhet ta anashkalojë Kosovën.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, sot, priti në takim, ambasadorin e Republikës së Austrisë në Republikën e Kosovës, Gernot Pfandler, ku diskutoi për zbatimin e Marrëveshjes së stabilizim Asociimit dhe sfidat e procesit integrues.
“Zbatimi i MSA-së, është prioritet themelor i institucioneve tona. Zbatimi i Agjendës Evropiane të Reformave e kemi prioritet kryesor. Mirëpresim strategjinë integruese për këtë pjesë të Evropës, por, konsideroj se Strategjia e zgjerimit për Ballkanin perëndimor, do të jetë e mangët pa Kosovën, kapitullin dedikuar vendit tonë, me gjithë përcaktorët sikur për shtetet tjera, duke mos iu shmangur as ne, jo vetëm afateve por edhe përcaktimeve të detajuara për procesin integrues”, theksoi Ministrja Hoxha, duke shtuar se vlerat euro-atlantike, janë vlera edhe të Republikës së Kosovës.
Ambasadori Pfandler, theksoi rëndësinë e Agjendën Evropiane të Reformave, duke ofruar mbështetje të plotë për proceset integruese të Republikës së Kosovës.
Agjenda integruese është gjithëpërfshirëse në aspektin rajonal, theksoi Ambasadori, duke shtuar se Strategjia e zgjerimit për Ballkanin perëndimor do të jetë një dokument me vlerë për vitet që vijnë si udhëzues dhe përcaktues për shtetet që aspirojnë proceset integruese. Kosova ishte, është dhe do të jetë pjesë e pandarë e zhvillimeve rajonale, duke kontribuar në këto procese nëpërmjet vlerave të proklamuara me këto agjenda, theksoi ambasadori Pfandler.