Ministrja Hoxha, në takim me Ambasadorin e Republikës së Francës në Republikën e Kosovës, Didier Chabert, ka theksuar se çfarëdo strategjie, që bën fjalë për integrimin e Ballkanit perëndimor pa Kosovën, nuk do të ishte e plotë.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar sot, Ambasadorin e Francës në Kosovë, Didier Chabert, me ç’rast diskutoi për proceset nëpër të cilat po kalon vendi, me theks procesin integrues.
“Obligimet tona janë të qarta. Me përkushtim jemi duke u marrë me to. Jemi të bindur se shteti ynë, duhet të rikonfirmohet si pjesë e agjendave integruese, edhe me Strategjinë për zgjerim, që pritet të publikohet në Shkurt të këtij viti, Kosova duhet t’i ketë edhe përcaktimet edhe përkufizimet e qarta. Kosova me vendosmëri është duke realizuar MSA-në, andaj, konsideroj se çfarëdo strategjie për integrimin e Ballkanit perëndimor, pa Kosovën, nuk do të jetë e plotë”, theksoi Ministrja Hoxha.
Ambasadori Chabert theksoi rëndësinë e MSA-së, luftimin e korrupsionit si dhe Agjendën Evropiane të Reformave, duke ofruar mbështetje të plotë për proceset integruese të Republikës së Kosovës.
“Franca qëndron pranë jush, ashtu siç ishte në fazat më të vështira të historisë suaj të re. Kosovën e shohim si pjesë të agjendës integruese dhe pjesë të pandashme të strategjisë integruese për Ballkanin perëndimor. Kosova ka ende punë për të bërë por në këtë proces, nuk do të jetë e vetmuar”, theksoi ambasadori Chabert, duke çmuar angazhimin e vazhdueshëm të institucioneve në procesin integrues.