Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka thënë se pret që ky do të jetë viti i fundit që qytetarët e Kosovës do ta festojnë Ditën e Evropës të izoluar.
Këtë zotim Hoxhaj e ka dhënë në tryezën e organizuar të hënën me temën “Potenciali i rinisë së Kosovës drejt BE-së”, shkruan sot “Koha Ditore”. Një zotim të tillë Hoxha e pati dhënë edhe nëntë majin e vitit të kaluar, kur pati thënë se shpreson që deri në fund të 2018-s qytetarët do të mundë të lëvizin të lirë.
Ministrja e Integrimeve ka thënë se rinia përbën pjesën më vitale të një shteti dhe liderët duhet të bëjnë të pamundurën për të krijuar kushte sa më të mira për rininë, sepse ajo e mban gjallë produktivitetin e shoqërisë.
“Nëse kthehemi prapa në kohë e dimë se rinia kosovare ishte më e diskriminuara. Rinia e Kosovës para vitit 1999 kishte zero perspektivë. Sot të rinjtë tanë kanë më tepër mundësi e perspektivë se që kishin dje. Ende nuk kanë aq sa duhet. Anëtarësimet e Kosovës në mekanizma sportivë kanë hapur shtigje për rininë e Kosovës. Fakti që vetëm Kosova shënon Ditën e Evropës dëshmon se Kosova përbën vendin më proevropian në Evropë, dhe shpresojmë që edhe BE-ja të marrë hapin e radhës”, ka deklaruar Hoxha.