Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se po punon në mënyrë intensive që çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës të hyjë në agjendën e takimit të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian.
Hoxha aktualisht po qëndron për vizitë në Bruksel, ku po zhvillon takime me personalitete të ndryshme, me temë kryesore liberalizimin e vizave.
Në një intervistë për Gazetën Express, ministrja e Integrimit Evropian ka bërë të ditur se sot ka zhvilluar një takim me komisionarin Dimitris Avramopoulos, përgjegjës për Migrim, Punë të Brendshme dhe Shtetësi.
Hoxha ka treguar se çka ka kërkuar nga komisionari, në mënyrë që qytetarët të fitojnë sa më parë të drejtën e lëvizjes së lirë.
“Unë sot u takova me komisionerin Avramopoulos dhe kuptohet që biseduam për liberalizimin e vizave që ishte tema kryesore e takimit. Njëra ndër kërkesat e mia ishte përkrahja që ai tu dërgoj letra ministrave të brendshëm dhe tu qartësoj se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret që janë kërkuar nga BE. Ne i kemi bërë punët tona dhe tani vendet anëtare do ta vendosin në votim”, ka thënë Hoxha për Gazetën Express.
Ministrja është shprehur se ditët po kalojnë, dhe se Kosova është e vendosur të vazhdojë me kërkesën që procesi i liberalizimit të vizave të përfundoj sa më shpejt.
“Do të vazhdojmë deri në fund do të bëjmë përpjekje që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të futet në agjendë të Këshillit të Ministrave”, është shprehur ajo.
Hoxha ka komentuar edhe vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për rritjen 100% të taksës ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
“Vendimi i sotëm i qeverisë së Kosovës patjetër që është vendim i drejtë, ka pasur kohë që ne e kemi ngritur këtë çështje qoftë në mekanizmin e CEFTA-s, qoftë në mekanizmat e tjerë, gjithashtu edhe në Bruksel në takime të ndryshme, ku kemi thënë se Serbia dhe Bosnja janë duke përdorur standarde të dyfishta dhe politika të cilat prodhimet e Republikës së Kosovës po i vënë në një konkurrencë të padrejtë dhe jofer, e cila është kundër rregullave të tregut të lirë dhe CEFTA-s ku anëtare është edhe Kosova”, ka deklaruar Hoxha.
Sipas saj, vendimi i sotëm është i qëlluar sepse siç thotë ajo, vërtetë ka ardhur koha që edhe produktet dhe ekonomia e Kosovës të mbrohen dhe të kenë njëfarë përkrahje.
“Ne presim që edhe Bashkimi Evropian të korrigjoj vendimet e mëhershme të marra qoftë nga Serbia apo Bosnja, të cilat e kanë vënë Kosovën në një pozitë jo të favorshme sa i përket prodhimeve të Republikës së Kosovës duke bërë politika të ndryshme”, është shprehur ministrja.