Kosova në vitin 2016 ka marrë 164 milionë euro donacione. Donatorët më të mëdhenj vitin e kaluar ishin Bashkimi Evropian (BE), ShBA-ja, Zvicra dhe Gjermania.
Kjo u bë e ditur në prezantimin e raportit vjetor mbi aktivitetet e donatorëve të vitit 2016, organizuar nga Ministria e Integrimeve Evropiane, raporton Ekonomia Online.
Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, tha se gjatë vitit 2016 asistenca e donatorëve ka qenë 164 milionë euro dhe se donatorët kryesorë kanë qenë BE-ja, ShBA-ja, Zvicra dhe Gjermania.
Ajo tha se për qeverisje të mirë dhe shoqëri civile janë ndarë 65 milionë, në arsim 17 milionë, 14 milionë për ujërat e zeza, në infrastrukturë 10 milionë euro, dhe për bizneset 9 milionë euro.
Hoxha më pas dha detaje edhe për shtete veç e veç sa kanë investuar.
“Në vitin 2016, Austria ka ndarë 3 milionë euro për bujqësi dhe arsim; BE ka ndarë 61 milionë euro për qeverisje të mirë, arsim, bujqësi dhe energji elektrike; Finlanda ka ndarë 1,8 në qeverisje të mirë; Gjermania 10 milionë euro për qeverisje të mirë; Italia 0,25 milionë në arsim dhe qeverisje të mirë; Suedia 9,6 milionë në qeverisje të mirë dhe furnizimin me energji elektrike; ShBA 34 milionë euro për shërbime bankare, sundim të ligjit dhe qeverisje e mirë; Banka Botërore 1,8 milionë euro shërbime bankare”.
Sipas Hoxhës, nga këto donacione përfituan Gjakova, Mitrovica, Peja dhe Prizreni – 41 milionë euro, ndërsa komunat me shumica serbe kanë përfituar nga donatorët 7,2 milionë euro.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka falënderuar donatorët për këto donacione, duke shtuar se qeveria ka shumë sfida, por që do t’ia arrijë të përballet me to, nëse ka edhe përkrahjen e partnerëve të saj.
“Kosova qëndron falë një punë të përbashkët. Populli i Kosovës është i vetëdijshëm që përmes këtyre ndihmave nuk marrim vetëm paranë, por edhe obligimet që ndërtojmë një Kosovë të një shoqërie demokratike”.
Duke folur rreth bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës do të jetë partnere e mirëfilltë dhe do ta rris përgjegjësinë e vet në menaxhimin e parasë publike dhe të donacioneve në Kosovë, me theks të veçantë në luftimin e korrupsionit.
“Ne jemi dy dekada pas luftës pas shkatërrimeve të mëdha, qëllimi ynë është një Kosovë e qëndrueshme që zhvillohet jo vetëm që ka qëllime ekonomike, por edhe politike siç është anëtarësimi në BE, një Kosovë euroatlantike siç është hyrja në NATO, dhe një Kosovë për ruajtjen e marrëdhënieve me Amerikën”.
“Kosova ka me rritur koeficientin e menaxhimit të përgjegjshëm të pares së publikut dhe menaxhimit të përgjegjshëm të gjitha donacioneve dhe luftimin e korruptonit që ka përcjellë Kosovën në vazhdimësi korrupsion që e ka rritur reagimin qytetar, politik dhe reagimin e të gjithëve”.
Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, tha se Kosova është një demokraci e re prandaj edhe do të vazhdojnë përkrahjen drejt rrugës për në union.
“BE-ja vazhdon ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt unionit. Ne po punojmë në reforma ekonomike, për të zhvilluar një udhërrëfyes për zbatimin e MSA-së. Unë besoj që është koha për Kosovën të merr rolin e koordinimit të gjithë donatorëve. MiE të ketë në plan për takimet dhe ministria ka një departament ligjor që është përgjegjës për këtë, është koha me aktivizuar këtë rrjet dhe me punuar në aspektin e donatorëve”.
Ajo përmendi edhe një varg punësh që duhet të kryejnë ministritë përkatëse.
“MD dhe MPB të fillojnë në takime në grupe nën-sektoriale, ku grupi punues nën-sektorial ku takimet të mbledhin dy herë në vit. Sa i përket agjendës legjislative vlerësimi i raportit bëhet në prill të viti 2018 dhe ke ende kohë për përmirësim, por duhet të ndodh miratimi i ligjit për gjykatësit e ndryshimi i ligji që ka të bëjë me konfiskimin”.
Duke folur për sistemin e drejtësisë ajo nuk la pa përmendur edhe inkuadrimin e gjykatësve e prokurorëve ne veri të vendit.
“Arritja më e madhe e Kosovës gjykata në veri, pasi ka filluar procesi duhet të qëndroni në atë vijë. Autoritet e Kosovës ne donatorët do të bëjnë që të lehtësojnë punën në gjykata. Tani në arsimin një sektor që mbështetët nga donatorë, gjithnjë po bëhet prioritet për BE-në , arsimimi është një prej shtyllave kryesore”.
Ajo foli edhe për sistemin e arsimit dhe planet e ministrisë.
“Prioritetet kryesore janë në planet e arsimit të vitit 2017/2021, inkurajojmë qeverinë t’i qëndrojë pas kësaj strategjie, ministri ka krijuar një grup punues të ri për ndryshimin e ligjeve në arsim. Zbatimi i ligjit dhe arsimimi ku be i qëndron afër Kosovës që ti arrijmë synimet tona të përbashkëta”.
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie, tha se prioritete të qeverisë duhet të jenë sundimi i ligjit dhe edukimi.
“E dimë që duhet të merren vendime të ndryshme për trupat kundër korrupsionit. Ne do t’ju mbështesim si donatorë, por është qeveria që duhet të prijë me këtë”.
Sipas tij, duhet të depolitizohen të gjitha institucionet e arsimit, kurse të diplomuarit duhet që ta marrin njohuritë që të jenët të gatshëm për tregun e punës, raporton EO.
“Duhet të bëhet depolitizimi i të gjitha institucioneve duke përfshirë edhe drejtorët e arsimit nëpër komuna. Reforma në arsimin e lartë duhet të sigurojë që të diplomuarit të marrin njohuritë që të arrijnë të hynë në treg të tanishëm të punës. Prioritet nuk janë të pakta”.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se donacionet kanë ndihmuar këtë ministri që të përmbushë objektivat e saj. Ai përmendi edhe prioritetet e ministrisë që drejton.
“Rishikimi funksional i sundimit të ligjit proces që po fillon të zbatohet konkretisht, ky proces do të na ndihmojë për të kuptuar formatin dhe mënyrën e komunikimit, cilat institucione t’i mbajmë apo institucione të reja në këtë fushe”.
“Hartimi i legjislacionit penal, jemi duke kaluar në një proces dinamik duke përfshirë atë penal dhe civil, jemi në fazën përmbyllëse të kodit penal, projektligjin për prokurorin e shtetit dhe projektligjin për konflikt interesi, që këto nisma ligjore të arrijnë efekt. Prioritetet e MD-së janë rritja e profesionalizimit të stafit, fuqizimin e kapaciteteve, funksionalizmin e plotë të avokaturës së shtetit”.
Shyqiri Bytyqi, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, tha se prioritet mbetet projektimi i kurrikulave, rritja e përfshirjes së fëmijëve në parashkollor, hartimi i librave të reja për klasat 1, 6 dhe 10.
Gjithashtu edhe përmendin edhe mbështetjen dhe fuqizimin e mekanizmave dhe adresimin e dhunës dhe sigurisë në shkolla, përfshirjen e komuniteteve rom, ashkali e egjiptian në shkollë, kualifikimin sistemeve për të punuar më fëmijët me nevoja të veçanta etj.
Ministri i Inovacionit, Besim Beqaj, tha se një nga sfidat është kapaciteti i limituar i prodhimit, prandaj edhe duhet që të fokusohemi në këtë drejtim. Ai paraqiti një varg planesh për vitin 2018.
“Bashkërisht duhet të punojmë me përmirësim inovacionin dhe me arritë produktivitetin vendor. Fusha e parë ekspertiza në fushën e legjislacionit për politikë dhe ndërmarrësi, në vitin 2018 besojmë do ta përmbyllim strategjinë. Hartimi i ligjit për inovacion dhe ndërmarrësi, që kanë karakter ekonomik. Themelimi i qendrave të inovacioni dhe ndërrmarrësisë”.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se sektori i shëndetësisë mbetet sektor që ka ende nevojë për mbështetjen e donatorëve në të ardhmen. Ismaili foli për sfidat e ministrisë që drejton.
“MSh ka kapacitete të limituara për reformat që dëshiron me i arritë, agjencinë e pajisjeve për sigurimin e barnave, binjakëzimi do të siguronte qëndrueshmëri në institucioneve tona për të arritur standardet e vendeve të tjera. Investimet në infrastrukturën për shërbimet shëndetësore, edukimi i vazhdueshëm profesional”.