Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, gjatë konferencës ndërkombëtare, Com-sult, me moton Go West – Western Balkan që po mbahet në Vjenë, nën patronatin e Kryeministrit Kurz, ka takuar Ministrin e Inovacionit dhe infrastrukturës, Norbert Hofer, si dhe Michael Linhart, Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë Federale për Çështjet evropiane, Integrimin dhe Punët e Jashtme, me të cilët ka diskutuar rreth sfidave të integrimit të Republikës së Kosovës, dhe me këtë rast, kërkoi mbështetje për procesin integrues, sidomos në pjesën e dytë të vitit kur Austria merr kryesimin e Presidencës dhe mund të jetë edhe më e zëshme në mbështetjen për Kosovën.
Austria, theksoi Ministrja Hoxha, ishte dhe është mbështetëse e fuqishme e Kosovës në proceset historike që ka kaluar, duke e cilësuar si vlerë të madhe të shtetit miqësinë e Austrisë, andaj, theksoi ajo, presim mbështetje të mëtejme nga Austria të jetë krah interesave të qytetarëve të Kosovës.
“Ashtu siç na keni mbështetur vazhdimisht, presim po ashtu, edhe më tej të mbështetni procesin integrues të Kosovës dhe Ballkanit perëndimor brenda Bashkimit Evropian, me një agjendë të qartë dhe të saktësuar, sidomos gjatë kryesimit të presidencës nga Austria”, theksoi Ministrja Hoxha, duke kërkuar nga zyrtarët austriak që qytetarët e Kosovës të jenë të barabartë me qytetarët tjerë të Ballkanit sa i takon liberalizimit të vizave.
Në anën tjetër, Sekretari i Përgjithshëm dhe Ministri theksuan se Austria, Kosovën e sheh pjesë të Ballkanit perëndimor, brenda procesit integrues dhe planeve të zgjerimit.
të Bashkimit Evropian, duke theksuar se vendi i tyre, do të jetë i përkushtuar për të kontribuar më tej me hapat e nevojshëm për zbatimin e Strategjisë së BE-së në shtetet e Ballkanit. Zyrtaret e lartë austriak kërkuan që Kosova të avancojë në procesin e reformave si dhe të ratifikoje marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.