Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “Një deklaratë pavarësi – Rruga evropiane e Kosovës”, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se këto 10 vjet ishin sfiduese për Kosovën ku janë shënuar arritje, por sipas saj ka ende për të bërë. Hoxha tha se për herë të parë Kosova është pjesë e strategjisë së zgjerimit të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Ajo deklaroi se për të kjo është njohje indirekte nga vendet që nuk e kanë njohur Kosovën.
Sipas saj, politika e Jashtme e BE-së duhet të përqendrohet te zgjerimi.
“Ne besojmë që institucionet e BE-së do të bëjnë gjithçka për të mbajtur perspektivën evropiane për Kosovën. Ka zhvillime në sundimin e ligjit dhe aspektin ekonomik. Ne duhet t’i bëjmë detyrat tona por edhe Bashkimi Evropian duhet të na takojë kur t’i kryejmë detyrat. Besoj se pjesa më e rëndësishme është që BE-ja duhet të përqendrojë politikën e jashtme tek aspekti i zgjerimit.”
“Për herë të parë procesi i Integrimit Evropian i Kosovës është i ndarë nga ai i Serbisë. Kemi nënshkruar MSA-në, kemi shënuar arritje. Një marrëveshje juridikisht e obligueshme që asnjë vend i Ballkanit të mos pengojë tjetrin në rrugën evropiane. Të ketë njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Sa më shumë reforma që çojmë përpara ne afrohemi edhe më afër BE-së. Dekada e dytë duhet të përfundojë me anëtarësim në BE, NATO dhe OKB”, shtoi ajo.
Bernd Posselt, ish-deputet i Parlamentit Evropian, tha se Bashkimi Evropian tani ka prioritete kontrete, pasi më parë nuk ka pasur. Sipas tij një nga këto prioritete është edhe krijimi i një strukture të sigurisë në të cilën edhe Kosova duhet të marrë pjesë.
“BE për një kohe të gjatë ka pasur mungesë të prioriteve. Tani jemi në një fazë të re ku ka prioritete konkrete. Prioritet ështe krijimi i një strukture të re të sigurisë. Mendoj që kjo është pikë ku Kosova duhet të marrë pjesë. Kjo strukturë nuk është vetëm për vende anëtare por edhe për kontinentin.
Pra, duhet të perfshiheni në këtë. Pjesa e dytë është reforma. Edhe ju duhet të merrni pjesë në procesin e reformës. Zgjerimi tani është prioritet i ri. Është me rëndësi që të bëjmë ndriçimin e vrimës së zezë të BE-së, e që janë vendet e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Posselt.