Hoxha: Procesi i vettingut duhet të jetë i vazhdueshëm që të sigurohet integritet

Prishtinë | 31 Mar 2021 | 21:43 | Nga Ekonomia Online

Rreze Hoxha nga GLPS ka thënë se procesi i vettingut duhet të jetë i vazhdueshëm dhe sipas saj, duhet të kuptohet se çfarë duam të arrijmë më këtë proces.

“Duhet të kuptohet qartë se çfarë dëshirojmë të arrijmë me këtë proces. Një proces i tillë duhet të jetë i vazhdueshëm, nuk mund të lejojmë që i gjithë sistemi i drejtësisë ose sektori i sundimit të ligjit të hyjë në sistem të verifikimit dhe kur të kryhet ajo, të përfundojë. Ne kërkojmë sistem të vazhdueshëm të verifikimit sepse vetëm kështu sigurojmë integritetin e sistemit gjyqësor dhe institucioneve të tjera”, ka thënë ajo.

Hoxha në Desku ka thënë se duhet të reformohet komplet sistemi i rekrutimit për gjyqtarë e prokurorë në Kosovë.

“Konsideroj se duhet reformuar komplet procesi i rekrutimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Nuk është e mjaftueshme që një kandidat që i plotëson kriteret formale, të jetë e mjaftueshme të kyçet në sistem. I njëjti duhet të dëshmoj se ka aftësi argumentuese, për interpretimin e normave ashtu që të mos kemi probleme banale me të cilat përballet sot sistemi”, tha ajo.

Të ngjashme