Hoxha: Projektet e BE-së, janë të rëndësishme për Kosovën dhe rajonin

Prishtinë | 20 Dhj 2018 | 12:02 | Nga Ekonomia Online

Në prezantimin e Dizajnit preliminar për Autostradën Prishtinë – Merdare, ku morën pjesë ministri Pal Lekaj dhe drejtuesit e këtij projekti, ku Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ceku rëndësinë e projekteve të BE-së në Kosovë.

Qëllimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, theksoi Ministrja Hoxha, nga viti 1999 e deri më sot, Kosova ishte pjesë integrale e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, pastaj me Procesin e Stabilizim Asociimit, me Kornizën Investive të Ballkanit Perëndimor, me Procesin e Berlinit dhe shumë iniciativa tjera me karakter rajonal.

“Procesi i Berlinit u dëshmua si kontribut pozitiv dhe në kohën e duhur drejt agjendës së përafrimit dhe zgjerimit të BE-së. Duke ulur koston e transportit, sigurimin e furnizimit me energji, krijimin e partneriteteve afatgjata biznesore dhe transferin e teknologjisë”, vuri në dukje Ministrja Hoxha dhe shtoi se Procesi i Berlinit mundëson lidhjen e ekonomive të Ballkanit Perëndimor me BE-në, edhe kjo rrugë e prezantuar sot, është në funksion të agjendës së konektivitetit.

Ky, dhe një sërë projektesh tjera infrastrukture që pritet të fillojnë, me ndikim në zhvillimin ekonomik të vendit, potencoi Ministrja, do të kenë ndikim në zhvillimin e gjithmbarshëm të rajonit.

“Institucionet e Kosovës, përkundër zhvillimeve të fundit, mbesin thellësisht të përkushtuara në zbatimin e MSA-së, zbatimi i efektshëm i së cilës sigurisht që do të ta avancojë procesin e integrimit evropian në Kosovë në tërësinë e tij”, vuri në pah Ministrja Hoxha, duke shtuar reformat e ndërmarra deri tash, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në fund të fjalës së saj, Ministrja Hoxha e falënderoi BE-në për projektet si dhe për rrugën Prishtinë-Merdare, duke shprehur përkushtim në kryerjen e obligimeve të ndërsjella.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme