Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, mori pjesë në tryezën e organizuar kundër korrupsionit, me titull: Luftimi i korrupsionit, “peshqit” e vegjël zihen, të mëdhenjtë lihen të lirë”.
Kosova nuk bën përjashtim sa i përket pranisë së korrupsionit, theksoi ministrja Hoxha, në fjalën e saj në këtë tryezë dhe shtoi se korrupsioni dëmton qytetarin, institucionet dhe shtetin.
“Kjo është një dukuri negative e cila po dëmton qytetarin, institucionet dhe vetë shtetin. Korrupsioni është një dukuri e cila mund të luftohet, por kjo luftë do të jetë e suksesshme vetëm nëse institucionet punojnë së bashku drejt kauzës zero tolerancë ndaj kësaj dukurie. Askush nuk duhet të fshihet pas të pamundshmes, pas vështirësive apo pas burokracive për të goditur korrupsionin”, theksoi Ministrja Hoxha.
Konsideroj se të gjithë ne, fillimisht duhet ta luajmë rolin tonë si qytetar të këtij vendi, theksoi Ministrja, si shtetas të shtetit më të ri në Evropë të cilët synojnë integrimet evropiane.
“Prokuroria dhe gjyqësori duhet të luajnë rol aktiv në këtë luftë dhe të ndëshkojnë ata që po dëmtojnë të ardhmen e shtetit tonë. Është koha e fundit që të gjithë ne, legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori ta fitojmë këtë luftë, gjithnjë duke e respektuar pavarësinë e secilit dhe kompetencat që i kemi në këtë drejtim”, theksoi ministrja Dhurata Hoxha.
“Ne si shoqëri dhe shtet po luftojmë korrupsionin, por tani është koha që t’i shumëfishojmë përpjekjet tona në këtë luftë. Nuk duhet të mjaftohemi vetëm me ligje, nuk duhet të mjaftohemi vetëm me retorikë për luftën kundër korrupsionit por duhet përveshur punës dhe tu mundësojmë qytetarëve tanë që të shohin rezultate konkrete, duke përçuar mesazhin se të korruptuarit nuk kanë vend në institucione, nuk kanë vend në shoqëri dhe të njëjtit duhet ndëshkuar siç parasheh ligji”, potencoi Ministrja Hoxha.
Problem i korrupsionit nuk është problem që nuk mund të adresohet dhe aq më pak nuk është luftë e pamundur. Por për të fituar këtë luftë, kërkohet më shumë nga të gjithë ne, nga institucionet, nga qytetarët, nga shoqëria civile por edhe nga mediat.
“Unë besoj fuqishëm se një ndër mënyrat më efikase për të luftuar korrupsionin është rritja e transparencës. Për këtë qëllim do të shfrytëzoja rastin të kërkoja ndihmën e shoqërisë civile dhe mediave. Shoqëria civile dhe mediat duhet të luajnë rol më aktiv në monitorimin e institucioneve dhe suksesit të tyre në këtë luftë por edhe duhet të ushtrohet presion përmes bërjes publike të informacioneve për afera korruptive brenda kufizimeve ligjore. Le ta drejtojmë gishtin si qytetar të Republikës së Kosovës drejt të korruptuarve”, vuri në pah Ministrja Hoxha.
Jam e vetëdijshme, theksoi në fund në fjalën e saj Ministrja Hoxha, se kemi shumë punë për të bërë për të fituar luftën kundër korrupsionit dhe shprehu përkushtimin për të luajtur rol aktiv dhe për të ndihmuar këtë luftë me mekanizmat që ka në dispozicion si Ministre e Drejtësisë.