Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka konfirmuar për “Zërin” se rruga drejt liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian është vështirësuar shkaku i zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që do të mbahen në maj të këtij viti. Ndërsa deputetët e opozitës thonë se heqja e vizave s’do të ndodhë as këtë vit.
Bashkimi Evropian po ua shuan shpresat kosovarëve për heqje sa më të shpejtë të vizave, pasi nga shtatori i vitit të kaluar nuk ka kurrfarë lëvizje pozitive drejt liberalizimit. Madje rruga drejt liberalizimit vetëm sa u vështirësuar në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, të cilat do të mbahen në maj të këtij viti.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pranuar për gazetën “Zëri” se rruga e Kosovës drejt liberalizimit është vështirësuar. Sipas saj, heqja e vizave nuk varet nga institucionet e Kosovës, por nga shtetet anëtare të BE-së. “Rruga drejt liberalizimit është vështirësuar, por ne nuk do të ndalemi së lobuari, pavarësisht se në maj do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Tashmë në këta dy-tre muajt është vështirë të jemi prioritet i deputetëve të Parlamentit Evropian, derisa ka filluar angazhimi në tërë BE-në për zgjedhjet në Parlamentin Evropian, por puna jonë nuk do të ndalet”, ka thënë për “Zërin” ministrja Hoxha, duke shtuar se heqja e vizave nuk do të mundë të futet në rend dite pa u siguruar pëlqimi i shteteve anëtare të BE-së.