Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar komisionarin për Politika të Fqinjësisë dhe Zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, me të cilin ka diskutuar mes tjerash për përmbushjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) dhe rëndësinë e përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave për kosovarët.
Hoxha tha se kanë biseduar me Hahnin edhe për bllokadën aktuale të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
“Kemi biseduar për mundësinë se a ekziston një mënyrë që të ecet përpara që qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin pa viza. Por, na është përsëritur se Kosova i ka kushtet që dihet për t’i plotësuar”.
“Kemi humbur kohë me zhvillimet politike në vend dhe nuk kemi prodhuar rezultate që do ta bënin Kosovën si partner kredibil”, e pranoi Hoxha, raporton Ekonomia Online.
Ajo theksoi se Kosova duhet të fillojë, dhe atë shpejt, të prodhojë rezultate dhe ta zërë hapin me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. “Duhet ta rifitojmë kredibilitetin tonë dhe të tregojmë përkushtimin tonë në agjendën evropiane; të prodhojmë rezultate konkrete, qoftë në qeverisjen e mirë, qoftë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, në zhvillimin ekonomik dhe indikatorët të cilët janë të qartë në dokumentin e Agjendës Evropiane të Reformave dhe MSA-së, dhe do të meritonim të ecnim përpara edhe në proceset e tjera”, theksoi ministrja kosovare.
Në takimin, Hoxha ka kërkuar përkrahje nga Hahni veçanërisht në fushën e zhvillimit ekonomik me theks të veçantë ndihmën për ndërmarrësit e rinj që do të ndikonte në shtimin e vendeve të punës.
“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA) është sukses yni i përbashkët, andaj, konsiderojmë se procesi do përshpejtuar për të vënë në fokus, përmbushjen e reformave adekuate dhe Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të përmbush obligimet e MSA-së”, ka thënë Hoxha.
Ministrja Hoxha po ashtu ka theksuar rëndësinë e përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve.
Komisionari për Zgjerim, Johannes Hahn, ka ritheksuar qëndrimin për perspektivën evropiane të Kosovës.
Ai me këtë rast ka potencuar rëndësinë e implementimit të Agjendës Evropiane të Reformave dhe zbatimit të MSA-së.
Hahn konfirmoi mbështetjen për Kosovën dhe perspektivën e saj evropiane si dhe mbështetjen për ministren Hoxha në përpjekjet për të dinamizuar procesin integrues.
Pas Brukselit, Hoxha do të vazhdojë vizitën zyrtare në Strasbourg, ku do të zhvillojë takime me eurodeputetë dhe përfaqësues të BE-së.
Të martën, ajo do të takojë komisionarin për Migrim, Çështje të Brendshme dhe Shtetësi të Bashkimit Europian, Dimitris Avramopoulos; eurodeputetët Hilde Vautmans e Lars Adaktuson (raportues në hije për Kosovën) etj.
Ekonomia Online po e mbulon këtë vizitë dhe do t’ju mbajë të informuar për të gjitha zhvillimet.