Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha priti në takim, Ambasadorin e ShBA-së, Philip Kosnett, me të cilin diskutoi çështjet lidhur me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe më gjerë reformat me ndikim në procesin e integrimit të Kosovës në BE.
SHBA-ja vazhdimisht ka ofruar ndihmë dhe mbështetje për Kosovën në zhvillimin dhe forcimin e parimeve demokratike, dhe njëkohësisht ne kemi qenë një nga përfituesit më të mëdhenj të asistencës së SHBA-së, dhe për këtë ne jemi falënderues tha Ministrja Hoxha.
“Kosova ka miratuar ligjet dhe është në proces të hartimit dhe shqyrtimit të komponentëve të tjerë të legjislacionit për të përforcuar sundimin e ligjit në veçanti kuadrin ligjor në fushën penale, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe reformat gjyqësore”, potencoi Ministrja.
Ambasadori Kosnett, vlerësoi angazhimin e Ministres Hoxha për proceset integruese, duke potencuar rëndësinë e fuqizimit të sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke ofruar përkrahje për proceset integruese të Kosovës.
ShBA-ja vazhdon të përkrah përpjekjet e Kosovës për fuqizuar sundimin e ligjit dhe eliminuar dukuritë negative që minojnë funksionimin e mirëfilltë të institucioneve dhe demokracisë në vend, me pritjen që këto të arritura të shtohen më tej, duke kontribuar në zbatimin e reformave, zbatimin e MSA-së dhe përfarimin me vlerat e vendeve të BE-së, në dobi të qytetarëve, të shtetit dhe rajonit, theksoi Ambasadori Kosnett.
Ministrja Hoxha falënderoi Ambasadorin Kosnett për përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-së në proceset kyçe për Kosovën, dhe konsolidimin e shtetësisë tonë, njofton Ministria e Integrimeve.