Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, në dy vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), mes Kosovës e Bashkimit Evropian (BE), ka bërë thirrje që të përshpejtohen hapat e implementimit dhe të reformave që obligon kjo marrëveshje.
Hoxha në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se në mënyrë që ta zëmë hapin si shtet ne duhet të arrijmë të prodhojmë rezultate konkrete.
“Sot është një ditë shumë e rëndësishme për marrëdhëniet tona kontraktuare në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, sepse nënshkrimi i MSA-së për herë të parë Kosovën e vë në marrëdhënie kontraktuare. Tani jo vetëm që jemi në marrëdhënie kontraktuare formale me BE-në, por gjithashtu kjo nënkupton që ne kemi edhe bashkëpunim qoftë politik qoftë në fusha të shumta në mënyrë që ti zbatojmë obligimet e MSA-së”.
E para e integrimeve evropiane nuk ka komentuar se cilat nga institucionet nuk kanë zbatuar masat që dalin nga kjo marrëveshje, por ka thënë se të gjithë duhet të përshpejtojnë hapat drejt përmbushjes së detyrave.
“Se sa kemi arritur progres, nuk është që s’kemi arritur progres por mendoj që duhet ta rrisim shpejtësinë, duhet ta përshpejtojmë hapin dhe punën që institucionet dhe të gjithë të tjerët të inkuadruar në procesin e MSA-së duhet ta përshpejtojnë punën, sepse Kosova i ka vetëm dy vite që e ka nënshkruar MSA-në ndërsa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor e kanë nënshkruar shumë më herët, vite më parë këtë marrëveshje dhe kanë arritur progres. Ne në mënyrë që ta zëmë hapin si shtet ne duhet të arrijmë të prodhojmë rezultate konkrete”.
Ministrja ka sqaruar se janë duke analizuar punën që është bërë në secilin sektorë e ministri sa i përket kësaj çështje në mënyrë që kenë një pasur të qartë se cilat janë masat që janë zbatuar e cilat jo.
Ajo u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që të përshpejtojnë hapat në zbatim dhe të dalin me rezultatet konkrete, raporton Ekonomia Online.
“Qeveria e re ende nuk i kemi dy muaj që jemi në këto detyra, ne jemi duke analizuar punën e secilit prej sektorëve, secilës prej ministrive përkatëse dhe institucioneve dhe për momentin jemi shumë të fokusuar dhe jemi duke e kanalizuar të gjithë energjinë tonë në përmbushjen e obligimeve, posaçërisht të obligimeve nga procesi ERA të cilat janë prioritet i prioriteteve të MSA-së, pra 22 veprime konkrete, ka progres, ka veprime që tanimë i kemi përmbushur dhe ka veprime të cilat jemi afër t’i përmbushim…iu bëjë thirrje që edhe ato të përshpejtojnë hapin që me të vërtet në këtë proces të dalim me rezultate konkrete, dhe gjithmonë të kemi rezultate konkrete”.
Hoxha tha se BE këkron që ta shfrytëzojmë MSA-në si potencial, ta shfrytëzojmë si potencial sepse me të vërtet është potencial për Kosovën.
“Komentet e Bashkimit Evropian janë që të gjithë i dimë që të angazhohemi sa më tepër në sundimin e Ligjit, të kemi rezultate sa më konkrete në luftën tonë kundër krimit, korrupsionit, të kemi rezultate konkrete në fushën e ekonomisë, zhvillimit ekonomik dhe ta shfrytëzojmë MSA-në si potencial, ta shfrytëzojmë si potencial sepse me të vërtet është potencial për Kosovën”.
Ministrja ka folur edhe për përfitimet që Kosova ka nga zbatimi i marrëveshjes së parë kontraktuare me BE-në.
“Patjetër që kemi pasur përfitim dhe sa më shumë që e implementojmë marrëveshjen rezultatet do të jenë më të prekshme edhe nga qytetarët edhe nga shoqëria jonë në përgjithësi. Diçka konkrete që na mundëson MSA-ja është lëvizja e lirë e mallrave dhe nga kjo ka shumë kompani prodhuese që kanë përfituar dhe tani kanë mundësi që edhe mallrat e tyre ti shesin në vendet e BE-së, kjo është vetëm një aspekt i vogël, përfitime tjera janë se çdo investitor, çdo ndërmarrës, çdo kompani ë hapet edhe fillon të prodhoj në Kosovë do të ketë qasje në vendet e Bashkimit Evropian që është një treg shumë i madh”.
“Përfitime tjera janë se në momentin e hyrjes në tregun e BE-së kompanitë tona duhet të garojnë qoftë me kualitet, qoftë me kapacitete, burime njerëzore dhe të gjithë mekanizmat dhe infrastrukturën përcjellëse. Ne qysh tani jemi duke shfrytëzuar MSA-në në mënyrë që shteti ynë të jetë gati të anëtarësohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian, që nënkupton që qëllimi ynë është që përmes MSA-së të arrijmë të aplikojmë për statusin e kandidatit, pastaj të vazhdojmë me reformat që na qojnë deri në anëtarësim”.
Kosova ka nënshkruar më 27 tetor të vitit 2015 Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Marrëveshja për Stabilizim Asociim kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë se mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile përmbushin standardet e BE-së.