Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, kërkoi nga deputetët që të nxirret një Rezolutë e përbashkët nga Kuvendi me konsensus të të gjitha partive politike për të shprehur zotimin për të avancuar proceset e integrimit, raporton Ekonomia Online.
Ajo ka raportuar në Komisionin Parlamentar për Integrim Evropiane ku ka diskutuar për Strategjinë e Zgjerimit të Bashkimit Evropian për shtetet e Ballkanit perëndimor.
“Duhet të bëhen reforma në drejtësi, ekonomi dhe administratë publike dhe institucionet e Kosovës, theksoi Ministrja Hoxha, duhet të flasin me një zë dhe të kenë një qëndrim të përbashkët – prioritet i politikave dhe ligjeve për MSA-në dhe ERA si konsensus ndërinstitucional”.
Ministrja theksoi po ashtu, se disa nga çështjet që priten të arrihen rezultate të prekshme janë në fushën e gjyqësorit, rritjen ekonomike dhe arsim më të mirë, si detyra që duhet edhe të argumentohen.
“Nuk duhet harruar që prioriteti i parë i institucioneve tona duhet të jetë zbatimi i reformave të gjithëmbarshme të parapara me MSA-në. Vetëm rezultatet e bindshme dhe progresi në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë do të vendos institucionet tona me një pozitë ku mund të kërkojmë më shumë nga ana e BE-së. Për momentin, topi është në anën tonë që t’i përfundojmë detyrat e shtëpisë, nëse më lejoni të shprehem në këtë mënyrë”, tha Hoxha.
Ajo theksoi se Ministria e Integrimit, çdo muaj dorëzon raport pranë Komisionit për Integrim Evropian, por njëkohësisht dje ju kemi dërguar për informimin tuaj edhe raportin e përmbledhur vjetor për vitin 2017.