Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, në cilësinë e Koordinatorit Nacional për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (MIK), vizitoi Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë/Morinë dhe u takua me udhëheqësit e Rajonit të Perëndimit nga Policia Kufitare, Doganave dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës.
Hoxha i falënderoi udhëheqësit dhe zyrtarët e të gjitha mekanizmave të kufirit për angazhimin e tyre profesional si agjenci të zbatimit të ligjit dhe në veçanti për aktivitetet dhe punën e tyre në fushën e Menaxhimit të Integruar të Kufirit, duke e vlerësuar Rajonin e Perëndimit si shembull pozitiv të menaxhimit.
Po ashtu zëvendësministri Hoxha, duke konstatuar progresin shumë të mirë në këtë fushë, vlerësoi edhe bashkëpunimin dhe ndërveprimin e aktiviteteve në mes të të gjitha mekanizmave institucional në kuadër të MIK-ut, siç janë Policia e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, duke kërkuar intensifikim edhe më të madh të bashkëpunimit me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, ndalimin e kontrabandimit, si dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
Gjatë këtij takimi zëvendësministri Hoxha u informua nga zyrtarët e MIK-ut lidhur me rezultatet e bashkërendimit të aktiviteteve dhe shkëmbimit në kohë reale të informatave ndërmjet autoriteteve kufitare dhe atyre të zbatimit të ligjit si në kufi dhe në brendësi të territorit, ku vlen të theksohen rastet e parandalimit të kontrabandimit të narkotikëve, armëve dhe municionit dhe rastet tjera në konfiskimin e automjeteve, naftës dhe derivateve të saj, aparateve të lojërave të fatit, arit, barnave pa banderola, cigareve pa banderola, pijeve alkoolike dhe jo alkoolike, tekstilit, ushqimit me afat të skaduar, etj.
Vlen të theksohet pjesëmarrja aktive dhe kontributi i Rajonit të Perëndimit (PK dhe DK) prej datës, 27-29.01.2017 bazuar në Planin Operativ “Ditët e Veprimit të Përbashkët Janar 2017”, të bashkërenduar me ILECU dhe EUROPOL, ku kanë qenë të angazhuar në kontrollimet e mirëfillta kufitare dhe shkëmbimin në kohë reale të informatave në Qendrën Kombëtare për Menaxhimin Kufitar, në ketë operacion të parë me karakter ndërkombëtar.
Zëvendësministri Hoxha, në këtë takim u shoqërua edhe nga Koordinatori i Qendrës Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit, Udhëheqësi i divizionit për MIK në Policinë e Kosovës, zyrtari i lartë i Agjencisë së Ushqimit, udhëheqësi i zyrës për zbatimin e strategjive dhe zyrtarë tjerë të MIK-ut.