Hoxha viziton familjet katolike në darkën e Krishtlindjes

Prishtinë | 26 Dhj 2018 | 15:36 | Nga Ekonomia Online

Familjen Halilaj nga Bardhaniqi i Gjakovës e ka gëzuar vizita e imamit të fshatit Jabllanicë e Madhe nga Peja, Sadri Zekaj, për darkën e Krishtlindjes.

Fotografia e hoxhës, i ulur afër një kryqi të varur në mur gjatë darkës së Krishtlindjes, është shpërndarë shumë shpejt në mediat sociale.

Imami Zekaj tha për Radion Evropa e Lirë se kjo nuk është vizita e tij e parë që i bën një familjeje të besimit tjetër, pasi që disa vite me radhë shkon në darkat e Krishtlindjes te familje të ndryshme të besimit katolik që jetojnë në rajonin e Pejës, Klinës dhe Gjakovës.

“Mua që disa vite më marrin familje të mëdha, familje që kanë dëshirë. Sivjet është lajmëruar familja Halilaj duke më thënë ‘a mund të vish dhe ta gëzosh familjen tonë’ dhe unë u thash me gjithë dëshirë. Kam shkuar me vullnet, kam pasur një pritje të jashtëzakonshme. Kemi kaluar shumë mirë”, ka thënë Zekaj.

“Unë rregullisht shkoj edhe këtë e kam bërë me dëshirë të madhe që t’i tregoj edhe disa të tjerëve që ne dhe ata (katolikët) jemi vëllezër, vetëm besimi që na dallon. Ne jemi shqiptarë, kemi gjuhë të përbashkët, një gjaku, një flamuri, një shteti të gjitha i kemi tonat. Edhe për atë arsye shkojmë vullnetarisht në shumë vende”, tha Zekaj.

Zekaj gjithashtu tha se gjatë luftës në Kosovë, në fshatin e tij Jabllanicë e Madhe ai dhe familja e tij kanë pranuar të strehojnë shumë familje katolike në shtëpinë e tij, me të cilët sot e kësaj dite takohen për festën e Bajramit dhe atë të Krishtlindjes.

“Fshati Jabllanicë e Madhe gjatë luftës ka qenë korridori kryesor që ka ndihmuar shqiptarët të largohen nga represioni i atëhershëm serb, prandaj shumë njerëz kanë kaluar andej. Prandaj kam pasur edhe familje krishtere që kanë ardhur aty dhe i kam pranuar, kanë fjetur, i kam përcjellë edhe për Rozhajë. Tash edhe ata shpesh vijnë për Bajram edhe kontaktojmë shpesh”, tha Zekaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme