Ish-ministri i jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj, ka ndarë kujtime të rëndësishme nga puna dhe bashkëpunimi me ish-ambasadoren e SHBA-së në Kosovë Tina Kaidanow, e cila ka vdekur dje.
“I pikëlluar mora lajmin për vdekjen e ish-ambasadores së SHBA-së në Kosovë, Tina Kaidanow. Ajo ishte një grua e fortë dhe një diplomate e zonja, e cila shërbeu në Kosovë në një kohë historike të saj dhe me të cilën kam bashkëpunuar ngushtë për shumë vite! Derisa isha pjesëmarrës i negociatave për pavarësinë e Kosovës në procesin e Ahtisaarit në Vjenë me disa kolegë të tjerë, Tinën e takoja në Prishtinë dhe shpesh më udhëzonte me këshilla të ndryshme në një kohë kur po lindte shteti ynë i pavarur.”, shkroi Hoxhaj.
“Kur procesi ishte përmbyllur, por Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk arriti pajtim të plotë për të mbështetur planin e Ahtisaarit në fund të vitit 2007, ishte Tina ajo që në muajin shkurt më tha “ndoshta në fundjavë do të shpallet pavarësia e Kosovës”, duke e përmendur 17 shkurtin si datë të mundshme! E kur pavarësia u shpall dhe Kosova nuk kishte ministri të jashtme, ishte Tina ajo që vinte shpesh në zyrën time dhe shpesh e takoja në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, për të organizuar vizita në vende të ndryshme, për njohje. Ndër takimet më të rëndësishme, ishte edhe Konferenca Islamike e OBI-së në Senegal, pa përmendur vendet tjera perëndimore.”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.
“E kujtoj ende gëzimin e saj dhe shkëlqimin e syve që kishte kur vendi i saj SHBA njohu pavarësinë e Kosovës dhe Tina ishte ajo që ia dorëzoi njohjen më të rëndësishme personalisht Presidentit dhe Kryeministrit të Kosovës! Aq shumë e donte Kosovën, sa falë vendosmërisë së saj, nënshkruajtëm Marrëveshjen e Fullbrihtit në mes të SHBA-së dhe Kosovës, duke e bërë të jashtëzakonshëm rolin e saj në ndërtimin e shtetit nga themele! Kur e përfunoi mandatin si ambasadore në Kosovë në vitin 2009, sa herë shkova në Washington e takoja me punë e për darkë dhe dëgjoja këshillat e saj për Kosovën! Lajmi për vdekjen e saj më lendoi shumë dhe çdo herë do ta mbaj në mendje dhe zemër kujtimin për të. Kontributi i saj i jashtëzakonshëm në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, do të mbetet gjithnjë i paharruar. Ajo e donte Kosovën dhe popullin e saj. Pushoftë në paqe!”, shkroi Hoxhaj.