Hoxhaj: Dialogu në Bruksel me tema teknike, e dëshme për vendin

Prishtinë | 08 Dhj 2020 | 20:49 | Nga Ekonomia Online

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se ajo çfarë ndodh në Bruksel me tema teknike mendoj se është e dëmshme për vendin.

Enver Hoxhaj, në një intervistë për televizionin shqiptar ka thënë se është momenti i fundit për qeverinë që të kuptojë se dialogu duhet të jetë në një format të ri.

“Mendoj se është momenti i fundit për qeverinë që të kuptojë se dialogu duhet të jetë në një format të ri. Formati i ri duhet të përcaktojë që ai të mos ngelet vetëm proces por të jetë një ngjarje, një takim që do të zgjasë një javë ose dy javë, i cili duhet të organizohet nga partnerët europianë dhe amerikanë, në të cilin marrin pjesë Kosova dhe Serbia. Ajo çfarë ndodh në Bruksel me tema teknike mendoj se është e dëmshme për vendin. Në 10 vitet e fundit ne nuk jemi në dialog vetëm me Serbinë, nën udhëheqjen e BE. Ne jemi në një proces normalizimi marrëdhëniesh me Serbinë që nga Konferenca e Rambujesë, 20 vite më parë dhe mendoj se duhet me çdo kusht të ketë përcaktim të afateve kohore”, ka thënë Hoxhaj për Report TV.

Ai, tutje ka shtuar se marrëveshja e Uashingtonit në thelb ka shumë elemente në favor të Kosovës dhe shumë elemente të cilët janë në favor të perëndimit, sepse, sic ka shpjeguar, në të ka shumë pika të cilat janë orientime gjeopolitike të SHBA në vendet e Ballkanit, ku mendohet të ndërmerren hapa konkrete të ndalimit të ndikimit rus dhe kinez.

“Ajo çfarë i ka munguar kësaj marrëveshja është ajo që është premtuar nga qeveria e Kosovës. Ajo ka premtuar se po shkon në Uashington për njohje të ndërsjellë dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Thuhet se ka pasur një paragraf në të cilin palët angazhoheshin për njohje reciproke, por askush nga qeveria e Kosovës nuk ka insistuar. Marrëveshja në tërësi është e mirë jo e dëmshme, por ajo duhet të arrinte një peshë historike dhe ajo do të arrihej nëse do të kishte një njohje reciproke. Qëllim i bërë publik nga qeveria para nisjes për në Uashington.”, ka thënë Enver Hoxhaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme