Hoxhaj: Do ta presim sjelljen politike të Kurtit, PDK do jetë front për ruajtjen e karakterit demokratik të shtetit

Prishtinë | 25 Shk 2021 | 21:53 | Nga Ekonomia Online

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se subjekti që ky përfaqëson do të jetë mbrojtëse e demokracisë, kundër një qasjeje populiste në politikë.

Hoxhaj në Rubikon me Adriatik Kelmendin, deklaroi se e kanë marrë me shumë seriozitet rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, dhe atë si mesazh të qartë të qytetarëve, ndaj do rikthehen me reforma, njofton Klan Kosova.

”Rezultatin e zgjedhjeve ne e kemi marrë shumë seriozisht si parti politike dhe këtë rënien në votë, e kemi marrë si mesazh shumë të qartë të qytetarëve”.

”Ajo për çka zotohem shumë është që do ta ndryshojmë PDK-në, në kuptimin e një reforme të mirë të thellë, edhe për sa i takon se si do t’i qasemi rinisë, gruas në Kosovë, por dhe temat me të cilat kanë të bëjnë me arsimin, reformat”.

”Ajo që ka ndodhur në 2020 ka qenë e paprecedent. Rrëzimi i qeverisë Kurti në mes të pandemisë dyfishoi votën. Po të dëgjonte dikush programin zgjedhor të PDK-së, listën tonë për deputetë, ofertën tonë konkrete, dhe debatet tona televizive, PDK natyrisht që do të dilte e para. Por vendimi është marrë shumë më herët”.

”Ne sistemin tonë demokratik ne jemi në opozitë. Sot për sot VV nuk ka garuar me platformë qeverisëse, VV nuk është parti politike, është më shumë një njeri që garon me retorikën e tij dhe me synimet e tij politike, sesa parti politike në kuptimin që politika fillon me ekip”.

Ndërsa Vetëvendosjen nuk e cilëson parti politike, Hoxhaj e konsideron edhe si të papërvojë në qeverisje, njofton Klan Kosova.

”Nuk ka po ashtu përvojë në qeverisje, nuk është parti që dallohet me një ekip që ka qeverisur. Ne do të presim programin e qeverisë dhe sjelljen politike të Kurtit në raport me reformat shtetërore”.

”PDK do të jetë bosht kundër një qasje populiste në politikë, do të jemi gardianë të demokracisë dhe të pluralizmit politik pikërisht për shkak të fitores dhe shumicës parlamentare që ka VV në Kuvend të Kosovës”.

”Do ta mbrojmë tregun e lirë, do të mbrojmë lirinë e mediave dhe lirinë individuale. Në planin politik. Në planin ekonomik kemi dallime të mëdha se për çka qëndron VV dhe PDK për zhvillimin e ekonomik”.

”Ne e shohim biznesin si partner. Ne shohim biznesin si sektor që mund të rris vende të reja të punës”.

”Për atë dhe kemi pasur politika konkrete fiskale. Shohim edhe lirinë e individit si e drejtë thelbësore në pluralizmin e partive politike dhe atë të mediave”.

”PDK do të jetë front që të ruhet karakteri demokratik i shtetit tonë, që të qëndrojmë në këto vlera që janë ndërtuar me shumë mund. Për tema konkrete të brendshme, ne do të shohim se kush çfarë do të thotë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme