Ndërtimi i pikës kufitare në Stanqiq dhe Bellanoc, ndërtimi i rrugës prej Shkupit në Bllacë dhe pika e zhdoganimit në Han të Elezit do të jenë vetëm disa nga temat të cilat do të diskutohen në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë, e cila ende nuk dihet se kur dhe ku do të mbahet, raporton Ekonomia Online.
Këto por edhe detaje të tjera nga planifikimi i punës së mbledhjes mes dy qeverive u diskutuan sot në një takim në Kaçanik në mes të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe atij të Maqedonisë, Bujar Osmani.
Zëvendëskryeministri Hoxhaj bëri të ditur se në mbledhjen e dy Qeverive do të diskutohen rreth 30 tema nga fusha të ndryshme. Sipas Hoxhajt ndërtimi i pikave kufitare në Stanqiq dhe Bellanoc mund të fillojë brenda 10 ditësh.
“Simbolikisht ne e mbajmë këtë takim në komunën e Kaçanikut për të treguar se shqiptarët janë një vazhdimësi historike dhe gjuhësore. Së pari ne mendojmë që duhet të kemi një kornizë të mirëfilltë edhe politike edhe ligjore përmes nënshkrimit të një marrëveshjeje të bashkëpunimit e cila do duhej të rregullonte fusha të shumta”.
“Fakti që takimi ndodh në Kaçanik ne mendojmë se tema duhet të jetë qendrore. Janë diku rreth 30 tema në kuadër të fushave të ndryshme, prej politikës, sigurisë ekonomisë, shëndetësisë dhe arsimit”.
“Mund të them se brenda 10 ditësh do të fillojë edhe ndërtimi i pikave kufitare në Stanqiq dhe Bellanoc, e cila do të jetë një referencë edhe për njerëzit, por edhe për mallrat”.
Zëvendëskryeministri Bujar Osmani tha se mbledhja e dy Qeverive është kërkesë e qytetarëve dhe nevojë për rrugëtimin e përbashkët drejt BE-së.
“Kam kënaqësinë të jem këtu edhe në cilësinë e koordinatorit të Qeverisë së Maqedonisë dhe bashkë ne zëvendvskryeministrin Hoxhaj të bisedojmë për pikat e bisedimit të dy Qeverive”.
“Kujtoj se kjo është kërkesë e qytetarëve tanë por edhe nevojë në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt BE-së. Ne jemi të përkushtuar që të ndihmojmë këtë proces për përspektivën e Ballkanit Perëndimor.”
Kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, shpreson që të ketë edhe takime të tjera mes Kosovës dhe Maqedonisë.
“Në vazhdën e takimit ishte temë diskutimi takimi mes dy Qeverive. Besoj që do të dakordohemi edhe për takimet e radhës mes dy vendeve”.