Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj ka deklaruar se të shtunën do të votohet Qeveria.
“Aktualisht Veseli, Haradinaj, Limaj dhe Pacolli janë duke shqyrtuar procedurat e Kuvendit të Kosovës, që duhet t’i dorëzojmë disa nënshkrime dhe një kërkesë dhe besoj që të shtunën do të ndodhë seanca”, tha ai.
Hoxhaj tha se Kosova është e përkushtuar të ketë raporte të mirëfillta me Serbinë, porse vendimet që merren në Kosovë janë në përputhje të plotë me institucionet vendore.
I pyetur nga Ekonomia Online, ai ka komentua deklaratat e deputetëve serbë se me Beogradin do të konsultohen sa i përket formimit të Qeverisë.
“Ne për çdo seancë që mbajmë dhe për çdo vendim që marrim natyrisht që debatojmë me të gjitha subjektet politike në mënyrë të veçantë se kur i përshtatet dikujt se kur me e mbajt një seancë të caktuar”.
“Natyrisht që të gjitha partitë mund ta kenë nga një opinion të ndryshëm por ne kemi rënë në ujdi që seance të ndodh të shtunën, po mendoj që do të ndodh të shtunën, por nuk mund të caktoj datë dikush në Kosovë se kur të mbahen seancat, çka mund të caktojnë datë janë deputetët të gjitha subjekteve politike të cilët do të thonë ne jemi gati për të ardhur këtë ditë apo atë ditë”.
Hoxhaj ka folur për ikjet e fundit të qytetarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Ai me këtë rast ka theksuar se ka disa javë që ai ka informacione që disa Institucione të caktuar të cilat veprojnë jashtë Kosovës po mundohen të krijojnë panik dhe nervozë tek qytetarët e Kosovës.
“Kam pasur informata para 4-5 jave, se disa institucione të caktuara jashtë Kosovës po mundohen të krijojnë panik dhe nervozë tek qytetarët e Kosovës dhe kam informuar institucionet e Sigurisë të merren me këtë çështje. Lus qytetarët të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e kësaj propagande”, ka thënë ai.
I pyetur se kush janë këto institucione jashtë Kosovë që po mundohen të krijojnë panikë, Hoxhaj nuk ka pranuar të përgjigjet para gazetarëve duke iu thënë atyre se ata duhet vetë të hulumtojnë për këtë çështje.