Mnistri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka takuar sot homologun e tij nga Shqipëria, Ditmir Bushatin, në margjina të Konferencës së Katërt të Ambasadorëve që po mbahet në Prishtinë më 19-22 dhjetor.
Hoxhaj falënderoi Bushatin për pjesëmarrjen dhe kontributin e tij në Konferencën e sivjetme të Ambasadorëve, ndërsa biseduan për projektet e përbashkëta të parapara mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Gjatë takimit dy-palësh u theksua rëndësia e funksionalizimit të planit të veprimit të Sekretariatit të Partneritetit Kosovë – Shqipëri. Të dy ministrat theksuan se bashkëpunimet e arritura në mes të dy ministrive të Jashtme, të Kosovës dhe Shqipërisë janë shembull i mirë e si shumë zotime të dala nga mbledhjet e përbshkëta të të dy qeverive janë zbatuar suksesshëm.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati sot ka mbajtur fjalim para të pranishmëve në Konferencën e Ambasadorëve si i ftuar special. Gjatë fjalimit të tij, ministri Bushati tha se pavarësisht se Shqipëria ka 105 vite si shtet i pavarur, ka mundësi të mësojë shumë nga Kosova si shtet i ri dhe diplomacia e saj.
“Shqipëria edhe pse ka 105 vite si shtet i pavarur ka shumë për të mësuar nga shteti i ri i Kosovës dhe diplomacia e saj”, ka thënë Bushati, ndërkohë që ka falënderuar Ministrinë e Jashtme të Kosovës për gatishmërinë për të hapur Konsullata të përbashkëta.