Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka pritur në takim njoftues ambasadorin e ri të Malit të Zi, Ferhat Dinosha, ku i shprehu mirëseardhje në Kosovë dhe sukses në detyrën e tij të re.
Në këtë rast, ministri Hoxhaj, i shprehu Ambasadorit Dinosha gatishmërinë e tij dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme për ta mbështetur punën e tij në Kosovë.
Edhe Ambasadori Dinosha, shprehu kënaqësinë e tij që gjendet në Kosovë i emëruar si ambasadori i parë i Malit të Zi dhe po ashtu tha që do të japë kontributin e tij maksimal për thellimin e bashkëpunimit në mes të Malit të zi dhe Kosovës.
Të dy palët u pajtuan se Mali i Zi dhe Kosova nuk kanë çështje të hapura në mes vete, përkundrazi të dy shtetet synojnë thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e përbashkët në rrugën e integrimeve euro-atlantike.
Ferhat Dinosha në muajin shtator është emëruar Ambasadori i parë i Malit të Zi në Kosovë. Ai ka qenë Ambasador i Malit të Zi në Shqipëri.