Kandidati për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj, ka vizituar sot një kompani në Fushë Kosovë, me pronar nga Presheva, nga ku ka treguar se PDK shpejtë do t’i prezantojë masat ekonomike për bizneset me pronarë nga Lugina që operojnë në Kosovë.
Përmes një statusi në Facebook, Enver Hoxhaj, ka njoftuar se pjesë e planit të tij si kryeministër i ardhshëm, do të jetë njohja e statusit të privilegjuar, nga ku këto biznese do të përfitojnë nga lirimi i tatimeve doganore.
Ai, gjithashtu ka shkruar se të gjithë qytetarëve të Luginës do t’iu sigurohet punësimi i barabartë me qytetarët e Kosovës në të gjitha institucionet.
“Qeveria e ardhshme e PDK-së do ta krijojë Fondin e Përhershëm për t’i mbështetur të gjitha aktivitetet ekonomike, kulturore e arsimore në Luginë të Preshevës.”, ka shkruar Hoxhaj.
Lexoni të plotë statusin e tij në Facebook:
Sot, ditën e nisa me një vizitë në kompaninë “Smart Signal Signs” në Fushë Kosovë. Biznes start-up në prodhimin e të gjitha produkteve të sinjalistikës, të cilat eksportohen në Belgjikë e që janë punë dore, e udhëhequr nga Asdren Osmani, një ndërmarrës nga Presheva që ka zgjedhur të investojë në Kosovë dhe ia ka dalë me sukses. Kjo tregon për lidhjet që kemi ne si shtet me këtë pjesë të kombit tonë.
PDK, si parti që gjithnjë ka qenë e gatshme të mbështesë interesat dhe vullnetin e qytetarëve të Luginës, shpejtë do t’i prezantojë masat ekonomike për bizneset me pronarë nga Lugina që operojnë në Kosovë. Pjesë e planit tim, si Kryeministër i ardhshëm do të jetë njohja e statusit të privilegjuar, nga ku këto biznese do të përfitojnë lirimin nga tatime doganore dhe të gjithë qytetarëve të Luginës t’iu sigurohet punësimi i barabartë me qytetarët e Kosovës në të gjitha institucionet e vendit. Qeveria e ardhshme e PDK-së do ta krijojë Fondin e Përhershëm për t’i mbështetur të gjitha aktivitetet ekonomike, kulturore e arsimore në Luginë të Preshevës.