Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se do t’i rris tarifat tregtare për mallrat kineze, nëse presidenti Xi Jinping nuk do të takohet me të në mbledhjen e ardhshme të G20-së në Japoni.
Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ai mund të vendos tarifa prej 25 për qind për mallrat kinëze ose në vlerë 300 miliardë dollarë.
“Ne kurrë nuk kemi marrë 10 cent nga Kina dhe tani po marrim shumë para nga Kina”, tha Trump.
I pyetur në një intervistë për CNBC, përcjell Telegrafi, lidhur me vendosjen e tarifave shtesë, ai tha se nëse nuk do të ketë takim me Presidentin Jinping, atëherë do të vendosen.
“Po, do ta bëjmë. Unë mendoj se ai do të vijë dhe unë mendoj se ne do të planifikojmë të kemi një takim”, ishte përgjigjur ai.
Trump përsëri sugjeroi se një marrëveshje e mundshme tregtare mund të përfshinte kompaninë kineze Huawei Technologies Co.
“Unë e shoh atë si një kërcënim. Në të njëjtën kohë mund të jetë shumë mirë që të bëjmë diçka në lidhje me Huawein si pjesë e negociatave tona tregtare me Kinën. Kina dëshiron shumë të bëjë një marrëveshje. Ata duan të bëjnë një marrëveshje më shumë se unë, por ne do të shohim se çfarë do të ndodh”, tha Trump.
Më 10 maj, Trump sinjalizoi fundin e negociatave zyrtare, duke ngritur tarifat nga 10 për qind në 25 për qind të importeve kineze.
Departamenti amerikan i Tregtisë kishte lajmëruar se ka ndalur kompaninë Huawei dhe 70 bashkëpunëtorë të tjerë, një masë që ndalon kompaninë nga blerja e komponentëve dhe teknologjisë nga firmat amerikane pa miratimin e qeverisë.