Hedhet poshtë aktakuza ndaj ministrit Dalibor Jevtiq

Prishtinë | 04 Sht 2017 | 16:10 | Nga

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka hedhur poshtë aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ndaj ministrit në detyrë për Kthim dhe Komunitete (MKK), Dalibor Jevtiq, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gjithashtu, aktakuza është hudhur poshtë edhe ndaj dy të pandehurve tjerë në këtë rast, Nenad Stojçenoviç dhe Mihailo Prenliçeviç, të akuzuar po ashtu për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, të lartcekurit nuk i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe as që është vërtetuar se me veprimet e tyre i është sjell përfitim dikujt apo i është shkaktuar dëm.

“Bazuar në faktin se automjetet ishin donacion nga UNHCR për t’i mbështetur organizatat qeveritare por edhe të gjithë akterët joqeveritar, të cilët kanë të bëjnë me promovimin dhe sforcimin e të drejtave të komuniteteve dhe bazuar në praktikat e ngjashme të kësaj ministrie, gjykata konsideron se nuk është vërtetuar dashja tek të pandehurit, si persona zyrtarë për ta kryer veprën penale, por qëllimi ka qenë që t’i ndihmohet një institucioni, i cili shërben në interes të përgjithshëm të komuniteteve”, thuhet në aktvendim.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Dalibor Jevtiq, në cilësinë e ministrit të MKK-së, Nenad Stojqetoviq në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në MKK dhe Mihajlo Pelinqeviq, si drejtor i Departamentit të Administratës dhe Financave në këtë ministri, më 11 shkurt 2014, akuzoheshin se së bashku si persona zyrtarë i kanë tejkaluar kompetencat dhe autorizimet e tyre.

Këtë pretendohet se e kanë bërë me qëllim që të përfitojnë për vete apo personin tjetër, dhe njëkohësisht t’i shkaktojnë dëm MKK-së. Në aktakuzë thuhej se me 11 shkurt 2014, i pandehuri Dalibor Jevtiç, në kundërshtim me nenin 16 të Udhëzimit Administrativ nr.03/2008 për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës, ka nxjerrë vendim, me të cilin veturën që ishte pronë e MKK-së ia ka dhënë për shfrytëzim të përhershëm kompanisëprivate “Radio KIM- TV Centar”, me seli në Çagllavicë.

Ndërsa, Nenad Stojçetoviç, si person përgjegjës për menaxhimin e pasurisë të kësaj ministre, duke e ditur që një vendim i tillë është i kundërligjshëm e ka urdhëruar zyrën ligjore të ministrisë që të përpilojë kontratë.

Kurse, Mihajlo Pelinçeviç, si person përgjegjës në Departamentin e Administratës dhe Financave në MKK, e ka nënshkruar kontratën për dhënien e veturës për shfrytëzim të përhershëm, mes MKK-së dhe “Radio KIM TV Centar”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme