Hungarezët interesohen për trajtimin e ujërave të zeza në Ferizaj

Ferizaj | 27 Qer 2017 | 15:10 | Nga

Kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa ka pritur sot në një takim disa përfaqësues të kompanisë hungareze “BioFive” të cilët kanë shfaqur interesimin e tyre për të investuar në komunën e Ferizajt rreth trajtimit të ujërave të zeza dhe problemeve të tjera të natyrës ambientale.

Me këtë rast kryetari i komunës u ka dhënë disa informacione përfaqësuesve lidhur me zhvillimin e Ferizajt ndër vite. Ai u ka dhënë informacione të shumta për infrastrukturën e Ferizajt dhe nevojat për investime.

Gjatë këtij takimi u bë e ditur se kryetari i komunës ka pasur disa takime edhe me Ambasadorin e Hungarisë në Kosovë për shumë projekte, ndërsa në veçanti për trajtimin e ujërave të zeza e që kanë një kosto rreth 20 milionë euro.

“Trajtimi i ujërave të zeza është menduar të realizohet përmes kredive të buta të cilat i përkrahë qeveria hungareze, pastaj është biseduar edhe për nevojën e investimeve për rregullimin e transporti urban, po ashtu përmes kësaj forme” bëri të ditur kryetari Svarqa për përfaqësuesit e kompanisë “BioFive”.

Gjatë këtij takimi është potencuar se edhe trajtimi i mbeturinave duhet të merret me seriozitet, ndërsa po kërkohet një kompani që të gjitha këto punë do t’i trajtojë me përgjegjësi.

Kryetari i komunës Svarqa ka shpjeguar në këtë takim se komuna do të ofrojë mjaft lehtësira nëse arrihet marrëveshja për një bashkëpunim të tillë.

“Komuna për ju do të mund të ofrojë infrastrukturën përcjellëse dhe ndihmë për të gjitha procedurat që u duhen si dhe tokën ku do të planifikohet ndërtimi i objektit e cila mund të jepet në shfrytëzim për 99 vite sipas ligjeve në fuqi”, ka shpjeguar Svarqa.

“Komuna ju garanton se nuk do të ballafaqohen me asnjë pengesë, shantazh apo ndonjë problem të tillë gjatë kryerjes së procedurave”, u ka thënë kryetari Svarqa afaristëve nga Hungaria.

Ai po ashtu ka njoftuar se komuna e Ferizajt ka qenë përfituese edhe e projekteve të tjera të cilat kanë të bëjnë më fizibilitetin në rajone të ndryshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme