Hyjnë në grevë punonjësit e Institutit Special në Shtime

Shtime | 16 Pri 2018 | 12:07 | Nga

Nga sot, punonjësit e Institutit Special në Shtime (ISSH) kanë hyrë në grevë për shkak të mos realizimi të kërkesave të tyre.

Organizimin e grevës, sipas kërkesës së punonjësve, e ka bërë Sindikata e Shërbyesve Civilë në Institutin Special në Shtime, të cilët kërkojnë që të trajtohen në mënyrë specifike të drejtat e tyre në punë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) si dhe nga institucionet më të larta të vendit, transmeton Ekonomia Online.

Në një komunikatë për medie nga Këshilli Organizativ i  Grevës thuhet se pas shumë kërkesave të vazhdueshme për përmirësimin e kushteve të punës dhe të drejtave të cilat duhet t’i kenë, duke marrë për bazë rrethanat në të cilat  punojnë dhe të drejtën e trajtimit të barabartë dhe mos diskriminim në pagesa, punonjësit e ISSH-së kanë marrë vendim që përmes formave sindikate të realizojnë të drejtat e tyre edhe përmes grevës.

Kërkesat konkrete të punonjësve të ISSH-së janë si në vijim:

  1. Trajtimi i rrezikshmërisë në punë,
  2. Trajtimi i kohës së qëndrimit në punë në 24 orë,
  3. Nivelimi i pagesave të kujdestarisë,
  4. Llogaritja e 50 eurove shtesë në pagën bazë të punonjësve,
  5. Pagesat jubilare, që burojnë nga kontrata kolektive dhe nga Ligji i shërbimin civil të Kosovës.

“Duke e vlerësuar punën e këtij institucioni dhe punonjësve të tij me specifikat që i ka e konsiderojmë së kërkesat e punonjësve të ISSH-së janë të drejta dhe të arsyeshme.

Gatishmëria e punonjësve për të dhënë kontributin e tyre është shpreh si vullnet i lartë dhe sakrifikues në punë, edhe për kundër se ka vështirësi reale dhe objektive gjatë ushtrimit të detyrave në punë”, thuhet në komunikatë.

Aty, tutje theksohet se rrezikshmëria në punë është specifike për këtë institut, ku ka pasur helmim të punëtorëve të institutit, të dokumentuar me ekspertizë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe se nuk janë ndërmarrë masa mbrojtëse apo edhe të rrezikshmërisë.

Po ashtu, në kuadër të këtij instituti ekzistojnë dy shërbime të ndara, ku kompensimi në paga është i ndryshëm, edhe pse puna bëhet njëjtë.

Gjithashtu, përfshirja e 50 eurove si shtesë të jetë e përfshirë në pagën bazë të këtyre punonjësve.

Edhe pagesat jubilare t’i marrin këta punonjës, që deri më tani iu kanë refuzuar, edhe pse janë të parapara edhe në kontratën kolektive dhe në Ligjin e shërbimit civil të Kosovës.

Sindikata e Shërbyesve Civilë në ISSH kërkon që në kohën sa më të shkurtër institucionet përkatëse, gjegjësisht MPMS që t’i analizojë me vëmendje të posaçme kërkesat legjitime të këtyre punonjësve dhe të marrë vendim pozitiv për t’i realizuar këto kërkesa, për të cilat kanë qenë të njoftuar çdo herë përfaqësuesit e MPMS-së dhe institucione tjera të Kosovës.

“Mos gatishmëria dhe injorimi i kërkesave të punonjësve të ISSH-së nga institucionet vendimmarrëse i ka detyruar këta punonjës që të marrin vendimin për grevë, si të vetmen rrugë që iu ka mbetur për t’i realizuar kërkesat e tyre”, thuhet në komunikatë.

Vendosmëria e punonjësve për grevë është e fuqishme deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme