Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj, siç ka thënë ajo, profileve false që komentojnë në postimet e saj në rrjetet sociale.
Në një postim në Facebook, Bajrami ka deklaruar se pas këtyre profileve qëndrojnë persona realë, të cilët sipas saj nuk kanë guxim të shprehen me identitetin e tyre.
“Qindra mijëra profile të tilla fallco, komentojnë sa herë që unë postoj diçka në profilin tim. Prapa tyre qendrojnë persona real për të cilët më vjen keq që s’kanë guxim që këto komente t’i bëjnë në emër të tyre”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka thënë se personat që përdorin profile të rreme ose nuk besojnë në atë që shkruajnë, ose nuk guxojnë ta bëjnë publikisht.
“Ata ose s’guxojnë ose nuk besojnë në atë çka e thonë, por megjithatë e bëjnë sepse paguhen”, është shprehur ajo.
Bajrami ka shtuar se ekzistojnë mënyra të tjera të ndershme për të fituar të ardhura, duke e cilësuar të papranueshme punën me identitet të rremë në rrjete sociale.
“Ka punë të tjera të ndershme që mund t’i bëni me pagesë, s’ka ma e ulët se me pranu me punu me identitet të rrejshëm. Hajnat dhe kriminelët punojnë me maska”, ka shtuar Bajrami.