Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, me ftesë të drejtorit ekzekutiv të INTERPOL-it, po merr pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme, të 85-të të INTERPOL-it, e cila po i zhvillon punimet në Bali të Indonezisë, i është drejtuar sot kësaj asambleje me një fjalë rasti.
Pikë e veçantë në punimet e ditës së sotme ishin kriteret e anëtarësimit të vendeve aplikuese në këtë organizatë. Këtë vit asambleja po diskuton vetëm për kriteret e anëtarësimit të vendeve aplikuese, ndërsa varësisht nga kriteret që do të vendosen votimi do të bëhet gjatë asamblesë së ardhshme të INTERPOL-it, që do të mbahet në nëntor të vitit të ardhshëm në Pekin.
Në fjalën e tij para delegatëve të organit më të lartë të INTERPOL-it, ministri Hyseni paraqiti në detaje arsyetimin e kërkesës për anëtarësim, duke theksuar shkallën e lartë të përgatitjes profesionale të Policisë së Kosovës dhe institucioneve tjera për rend e ligj.
Ministri Hyseni ka bërë ftesë që kërkesa e Kosovës për anëtarësim të marrë trajtimin e merituar gjatë vendosjes së kritereve. Ministri Hyseni theksoi se Policia e Kosovës është policia më e trajnuar dhe më profesionale në Ballkanin Perëndimor. Përndryshe është kjo hera e parë që Republika e Kosovës përfaqësohet si shtet dhe në këtë nivel në AP të INTERPOL-it.
Sipas një komunikate të MBP-së, fjala e ministrit Hyseni u ndoq me interesim shumë të madh dhe u përshëndet me duartrokitje të pranishmëve.