Kryetari i degës së LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni, ka kritikuar kryetarin Shpejtim Bulliqi për mospastrim të rrugëve në këtë qytet.
Hyseni e ka quajtur skandal mosmirëmbajtjen e rrugëve, teksa thotë se në dimër i lë qytetarët pa kompaninë e pastrimit të borës.
Shkak i kësaj, sipas Hysenit janë shkaktuar edhe aksidente.
“N’pikun e dimrit Shpejtim Bulliqi dhe qeverisja e tij e lë Llapin pa kompaninë e pastrimit të borës. Skandalet e qeverisjes lokale të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Shpejtim Bulliqit nuk kanë të ndalur. Nga njëri skandal përfundojnë në tjetrin. Se ata nuk kanë qëllim as synim lehtësimin dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të Podujevës, kjo gjë po dëshmohet çdo ditë e më tepër”, ka shkruar ai.
Asnjë ditë e vetme nuk mbetet pa një skandal. E ku ka skandal më të madh të një qeverisjeje, kur pikërisht në pikun e dimrit i lë qytetarët pa kompaninë e pastrimit të borës. Duke pasur për qëllim që ta favorizojë kompaninë me çmim më të shtrenjtë, për qëllime të përfitimit personal, ka anashkaluar kompaninë më të lirë, e rrjedhimisht edhe i ka lënë sot rrugët në këtë gjendje të mjerë e të rrezikshme, e Podujevën e ka bërë si komunën e cila në mes të dimrit nuk ka një kompani për mirëmbajtjen e rrugëve. Pra, për qëllime personale ka bërë që sot të rrezikohen qytetarët nga ngricat gjithandej Llapit, si në qytet ashtu edhe në fshatrat e komunës sonë.
Gjatë ditës së sotme është raportuar edhe për aksidentet e ndryshme, e të cilat po ndodhin pikërisht si pasojë e gjendjes së tmerrshme në të cilën ndodhen rrugët e Podujevës. Kjo flet për përgjegjësinë tuaj, për papërgjegjshmërinë tuaj ndaj qytetarëve të Podujevës, ndaj detyrave, përgjegjësive dhe obligimeve. Llapi dhe llapjanët nuk e meritojnë një qeverisje të tillë, as një kryetar të tillë!
Ju jeni turpi i Llapit! Llapi dhe llapjanët meritojnë më mirë”, ka shkruar ai.