Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni po qëndron për vizitë në Republikën e Austrisë, ku është pritur nga Ministri i Brendshëm i Republikës së Austrisë Wollfgang Sobotka.
Gjatë një takimi përmbajtësor dhe shumë miqësor të dy ministrat kanë biseduar për një varg çështjesh të interesit të ndërsjellë dhe në funksion të forcimit të mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale Kosovë-Austri, në fushën e sigurisë.
“Partneriteti strategjik midis Kosovës dhe Austrisë në rrafshin e sigurisë dhe rendit e ligjit është I qëndrueshëm”, tha ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni.
Në takimin e dy ministrave në mënyrë të veçant u trajtua çështja e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës.
Ministri Hyseni nënvizoi se Kosova nuk duhet të mbetet vendi i vetëm i izoluar në Ballkan. Ai u zotua se Republika e Kosovës do të përmbush të gjitha detyrimet që dalin nga kjo çështje. Ndërsa tha se Austria mbështet heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës ministri Sobotka theksoi se Kosova duhet te përmbush edhe kriterin e ratifikimit të marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi dhe të sigurohet se trendi pozitiv i menaxhimit dhe rrënjës së migrimit të paligjshëm nga Kosova drejt zonës Shengen të vazhdojë. Po ashtu duhet të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni, theksoi ai.
Çështje tjetër e veçant që u trajtua nga dy ministrat ishte edhe terrorizmi global dhe ekstremizmi i dhunshëm.
Të dy ministrat u dakorduan që Kosova dhe Austria do të vazhdojnë të bashkëpunojnë ngushtë në luftimin këtyre kërcënimeve që tejkalojnë kufijtë nacional të shteteve.
Ministri Sobotka falënderoi ministrin Hyseni për vizitën dhe shprehu mirënjohjen e tij të thellë për marrëdhëniet e afërta midis dy shteteve, e në veçanti midis dy ministrive të brendshme duke theksuar gatishmërinë e tij dhe të Austrisë për të bashkëpunuar edhe më tutje në çështje me interes të veçantë.
Ministri Hyseni kërkoi përkrahjen e mëtejme të Austrisë edhe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe avancimit të bashkëpunimit me Europol-in, si dy mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtar të bashkëpunimit policor. “Kosova duhet të anëtarësohet në këta mekanizma sa më shpejtë, sepse kjo i kontribuon paqes dhe sigurisë në vend dhe rajon”, theksoi ministri Hyseni ndërsa shprehu shqetësimin e tij të thellë dhe të veçantë me praktikën e fletarresteve serbe me akuza të sajuara dhe të papranueshme ndaj pjesëtareve të UÇK-së.
Ai i kërkoi ministrit Sobotka që të behet më shumë trysni me qellim që Beogradi të ndërprejë këto ndjekje të pabaza dhe urgjentisht të lirojë nën-kolonelin e PK-së, z. Nehat Thaçin , i cili vazhdon të mbahet në paraburgim në Serbi.
Ministri Hyseni falënderoi Austrinë dhe ministrin Sobotka për përkrahjen e vazhdueshme që po i ipet Kosovës në të gjitha fushat.