Ish-ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni ka thënë se ndihet si shqetësuar që kryeministri Ramush Haradinaj ka marrë vendim që të shtyjë votimin për anëtarësim në Interpol.
Sipas tij, ky veprim i kreut të ekzekutivit ishte hipotetik dhe tej mase i pakalkuluar. Hyseni shpreht i bindur se Kosova i ka votat për anëtarësim në këtë organizatë, raporton Ekonomia Online.
“Nuk e di se me çfarë premisash ka ardhur Haradinaj se Kosova nuk i ka votat, do të doja ta di. Nuk ka një analizë të hollësishme se Kosova nuk i ka votat. Unë si ish-ministër e di se Kosova i ka pasur votat për anëtarësim”, tha Hyseni.
“Në çdo takim që e kam pas me përfaqësues të Interpol-it e më kanë thënë që do ta votojmë Kosovën, sepse bashkëpunim ndërkombëtar kundër krimit është interes i të gjithëve. Interpol nuk është organizatë politike ose etnike. Çdo vend në Interpol e sheh në interes që ta sheh edhe policinë e Kosovës pjesë te Interpol-it sepse ka shumë për t’i ofruar kësaj organizate. Po ashtu edhe Kosova ka shume për të marr nga Interpolit. Pra edhe vendet që nuk e kanë njohur Kosovën kanë pranuar të votojnë pro”.
Por ish-ministri thotë se për Kosovën mund të votohet edhe pse Haradinaj ka bërë kërkesë për shtyrje të votimit.
“Haradinaj e ka adresuar gabimisht kërkesën për shtyrje të votimit, këtë ndryshim mund ta bëjë vetëm Asambleja e Përgjithshme. Kërkesa e Haradinaj shpresoj të mos merret parasysh dhe asambleja të vazhdoj me rend dite”.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë vendim që të shtyjë votimin e Kosovës në Interpol për takimin e ardhshëm të kësaj organizate.
Haradinaj u ka bërë thirrje diplomatëve që në takimin e radhës të punojmë më shumë në mënyrë që Kosova të votohet anëtare e Interpol-it.
Kosova kishte aplikuar për anëtarësim në Interpol edhe në prill të vitit 2015, por vitin e kaluar kjo organizatë kishte suspenduar aplikacionin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare.
Ndërsa më 26 deri 29 shtator do t’i zhvilloj punimet Asambleja e përgjithshme e Interpol-it në Pekin të Kinës.
Votimi për Kosovën ishte paraparë të ndodhte më 26 shtator. Dy të tretat e votave i nevojiten Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë të sigurisë, raporton EO.